Mesxhidul Aksa vazhdon të mbetet i mbyllur, Hamasi bën thirrje për rezistencë

Lëvizja e rezistencës palestineze e Hamasit u ka bërë thirrje muslimanëve në mbarë botën që të bëjnë rezistencë pas vendimit të regjimit të Tel Avivit për të mbyllur xhaminë Al-Aksa pasi tri palestinezë dhe dy policë izraelitë u vranë në një ndeshje me armë në kompleksin e xhamisë.

Zëdhënësi i Hamasit, Fawzi Barhoum, në një deklaratë të lëshuar të shtunën, e përshkroi mbylljen e vendit si një “luftë fetare” kundër vendeve të adhurimit të palestinezëve, dhe e bëri regjimin izraelit plotësisht përgjegjës për çdo pasojë të mundshme të kësaj lëvizjeje.

Barhoum u bëri thirrje gjithashtu njerëzve në vendet arabe dhe muslimane që të demonstrojnë para ambasadave izraelite në shenjë mbështetjeje për xhaminë al-Aksa dhe të bëjnë presion ndaj Izraelit për t’i dhënë fund menjëherë veprimeve të tij të agresionit.

Kompleksi i Xhamisë Al-Aksa është mbyllur nga policia izraelite që nga sulmi vdekjeprurës në qytetin e vjetër të pushtuar të Jeruzalemit në mëngjesin e së premtes.

Autoritetet izraelite më vonë anulluan namazin e së premtes në xhaminë al-Aksa – masa e parë e këtij lloji në dekada – dhe më pas e zgjatën mbylljen deri të dielën.

Të shtunën, forcat izraelite arrestuan përkohësisht kreun e lartë musliman të Jeruzalemit, Sheik Mohammed Ahmed Hussein, pasi ai dënoi mbylljen e xhamisë në një intervistë televizive.

Husseini u lirua më pas me një gjobë prej 2.800$ dhe u vendos nën arrest shtëpiak për pesë ditë. Ai u ndalua edhe nga dhënia e intervistave për 30 ditë.

Figurat religjioze dhe politike palestineze kanë denoncuar mbylljen e kompleksit të xhamisë Al-Aksa, duke e quajtur atë një shkelje të lirive të tyre fetare.

“Nuk ka asnjë justifikim për mbylljen e xhamisë Al-Aksa, dhe ne e kundërshtojmë këtë vendim,” tha sheiku Yusuf Idis, ministri i çështjeve fetare të Autoritetit Palestinez.

Ai shtoi: “Liria për të adhuruar është një e drejtë e garantuar me ligj dhe çdo shkelje e kësaj të drejte refuzohet”.

Territoret e okupuara palestineze kanë përjetuar tensione të reja që kur forcat izraelite vendosën kufizime në hyrjen e adhuruesve palestinezë në kompleksin e xhamisë së Al-Aksa në Jeruzalemin Lindor në gusht të vitit 2015.

Më shumë se 300 palestinezë kanë humbur jetën e tyre nga forcat izraelite në tensionet e vazhdueshme që nga fillimi i tetorit 2015.

Regjimi i Tel Avivit është përpjekur të ndryshojë përbërjen demografike të Jeruzalemit gjatë dekadave të fundit duke ndërtuar vendbanime, duke shkatërruar vendet historike dhe duke dëbuar popullsinë lokale palestineze. Palestinezët thonë se masat izraelite synojnë të hapin rrugën për judaizmin e qytetit.

Kompleksi i Xhamisë Al-Aksa është një vend i shenjtë islamik, i cili është gjithashtu i shenjtë për hebrenjtë. Xhamia është vendi i tretë më i shenjtë i Islamit pas Mekës dhe Medinës në Arabinë Saudite. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne