Meta e dekretoi anëtar të Kushtetueses, ish-ministri: Lajm i mirë për drejtësinë, Besnik Muçi s’ka bërë kurrë kompromis

Një lajm të mirë për drejtësinë, nderim për institucionin dhe një vendim që duhet përshëndetur. Kështu e vlerëson ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, dekretin e Presidentit të Republikës Ilir Meta për anëtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi.

Në një postim në “Facebook”, Halimi shkruan se Muçi e ka arritur gjithçka vetë dhe se si prokuror u ka bërë ballë presionive dhe nuk ka bërë kurrë kompromis. Ai vlerëson arsimin e tij dhe thekson se e ka mëritur plotësisht këtë detyrë të rëndësishme.

POSTIMI I HALIMIT

Emërimi i Besnik Muçit në Gjykatën Kushtetuese është lajm i mirë për drejtësinë

Prokurori Muçi nga sot është anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese që emërohet pas ndryshimeve Kushtetuese të 22 korrikut 2016. Ai e ka arritur vetë gjithçka në jetë. Vjen nga një familje e thjeshtë në periferi të Pogradecit, asnjëherë e përfshirë në aktivitete politike. Ndoqi studimet në Tiranë e pastaj Shkollën e Magjistraturës. Arsimim mbresëlënës me meritën e vet.

Si prokuror ka qenë i papërfolur kurrë në dijeninë time. Ka pasur vazhdimisht dosjet e zyrtarëve të qeverive në pushtet dhe u ka bërë ballë presioneve edhe pse qeveritë nuk e kanë pëlqyer kurrë se nuk bënte kompromis.

Si prokuror i krimeve të renda nuk ka dështuar në procese duke përballuar presionet e duke bërë një jetë të thjeshtë në Tiranë.

Emërimi i tij sot nga Presidenti është një vlerësim që nderon padyshim Institucionin, është një vlerësim i duhur për Besnikun që e ka merituar plotësisht këtë detyrë të rëndësishme.

Emërimi i Besnik Muçit është një vendim që duhet përshëndetur dhe një lajm i mirë për drejtësinë./balkanweb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne