Shqiperia

Meta kthen në Kuvend ligjin për Kodin Zgjedhor

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për shqyrtim në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Dekreti i firmosur nga Kreu i Shtetit është botuar në faqen zyrtare të Presidencës, ku rendit edhe arsyet e kthimit të Kodit.

Kthimi në Kuvend vjen pak më shume se dy javë nga miratimi në Kuvend, pa konsensusin e opozitës jashtë parlamentare.

Dekreti i Presidentit:

Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 118/2020 – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit

D E K R E T

“PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 118/2020

‘PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10019, DATË 29.12.2008, ‘KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË’,

I NDRYSHUAR’”

Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe të nenit 93 të Kushtetutës,

D e k r e t o j

Kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit nr. 118/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar”, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti dhe pjesë përbërëse e tij.
Konkluzione dhe përfundime

Kushtetuta jonë parashikon qartë se e drejta themelore për të zgjedhur dhe respektimi i parimit të pluralizmit politik, janë bazat e funksionimit të shtetit tonë, dhe secili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë këto parime. Sipas nenit 1, pika 3, e Kushtetutës, “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”.

Nga ana tjetër, neni 45 i Kushtetutës parashikon se: “çdo shtetas që ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet”.

Koncepti kushtetues “të zgjedhë” apo “të zgjidhet”, nuk duhet të shihet dhe nuk mund të konsiderohet i përmbushur vetëm në aspektin formal të mundësisë së pjesëmarrjes së qytetarëve në votime. Koncepti kushtetues që çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë “të zgjedhë” apo “të zgjidhet” është i lidhur ngushtë me mundësinë efektive të qytetarëve për të zgjedhur alternativën më të mirë që u ofrohet.

Presidenti i Republikës, ka detyrimin që të mbrojë dhe respektojë pikën 2, të nenit 15, të Kushtetutës, ku sanksionohet se: “organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre”.

Në këto kushte, kur ndryshimet ligjore të njëanshme që tentojnë të ndryshojnë rregullat themelore zgjedhore kur ka filluar procesi parazgjedhor dhe na ndajnë 5 muaj nga zhvillimi i fushatës zgjedhore, e mund të bëhen shkak që të cenohet ushtrimi efektiv i të drejtave kushtetuese të qytetarëve, Presidenti i Republikës ka detyrimin kushtetues që të kontribuojë në rivendosjen dhe realizimin e këtyre të drejtave, duke ndërmarrë çdo akt, apo masë proporcionale për rregullimin e situatës së krijuar.

Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik nga të gjithë.

Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkurruar, përfshirë partitë e vogla që duhet të kenë mundësi të barabrata për të përfaqësuar elektroatin që përfaqësojnë me programin e tyre politik.

Të gjitha forcat politike dhe partitë duhet të kenë mundësinë që të konkurrojnë dhe që vota e tyre të konvertohet objektivisht në mandate sipas votave të marra në kushte të barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur dhe për t`u zgjedhur. 79 Ndryshimi i njëanshëm i rregullave themelore për zgjedhjet, bën që të cenohen ndër të tjera, edhe parimi i konkurrimit të lirë, parim ky për të cilin Gjykata Kushtetuese ka bërë një arsyetim shterues në vendimin nr. 32/2010.

Kjo nënkupton se ato dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje, por me kushtin që të garantohet liria e të gjithë qytetarëve për të votuar të lirë, si dhe konkurrim i lirë i të gjitha forcave politike, në përputhje me parimet kushtetuese dhe rregullat e mirëpërcaktuara ligjore. Është detyrë e të gjitha organeve shtetërore që ta mundësojnë këtë, në respekt të parimit të pluralizmit, me fokus të veçantë respektimin efektiv të së drejtës për të zgjedhur.

Miratimi i këtyre ndryshimeve të njëanshme, pa dialog dhe konsensus, e mbi të gjitha duke ndryshuar rregullat pas përcaktimit të datës së zgjedhjeve, shumë afër kësaj date (25 prill 2021), do të jetë një shkak më shumë për bllokimin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian, do të minonte çdo mundësi për çeljen e negociatave dhe përmbushjen e kriterit kryesor të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe do të dëmtonte imazhin e Republikës së Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe si kryesues i OSBE-së përgjatë vitit 2020, kur për vetë OSBE-në çështjet e standardeve zgjedhore janë thelbësore.

Më duhet t`ju risjell për të disatën herë në vëmendje një prej angazhimeve themeltare që Republika e Shqipërisë ka ndërmarrë në vitin 2006 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, marrëveshje kjo e cila është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, me ligjin nr. 9590, datë 27.7.2006 “Për ratifikimin e ‘Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Evropiane e shteteve të tyre anëtare”, dhe ku përcaktohet qartë se për nënshkrimin e kësaj marrëveshje është mbajtur parasysh: “Angazhimi i palëve për rritjen e lirive politike e ekonomike që janë bazat themelore të kësaj marrëveshjeje, si dhe angazhimin e tyre për të respektuar të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës, përfshirë të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve kombëtare, si dhe parimet demokratike nëpërmjet një sistemi shumëpartiak me zgjedhje të lira e të ndershme”.

Por përkundër këtij angazhimi për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat janë kriter kryesor i Kopenhagës, rezulton se në Shqipëri, nën kushtet aktuale, për mungesë përgjegjshmërie të Kryeministrit, dhe në thyerje të të gjitha standarteve europiane, vendi po shkon drejt zgjedhjeve ku rregullat e konkurrimit favorizojnë partinë e tij në pushtet.

Ndryshimet në sistemin zgjedhor në vitin 2008, që u bënë për interesa të partive të mëdha, sollën dobësimin e vazhdueshëm të rolit të qytetarëve në qeverisje.

Ky ndryshim, edhe pse u bë pa dakordësinë e një numri të madh të partive politike, sërish nuk i ngjason aspak kësaj ndërhyrjeje që sot u bë në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, ku Kryeministri shmangu tërësisht dialogun mes forcave politike opozitare dhe mazhorancës qeverisëse, dhe shkeli marrëveshjen e arritur midis tyre.

Në atë kohë, përzgjedhja e modelit spanjoll elektoral, proporcional rajonal, siç u përshtat në legjislacionin e brendshëm, nisi të jepte goditjen e madhe për partitë e vogla, duke i përjashtuar nga përfaqësimi në Parlament.

Kjo, e kombinuar me fuqizimin e pozitës së kryetarëve të partive, tkurrjen e kompetencave të organeve kushtetuese apo të pavarura, si dhe kufizimin deri në pamundësimin e aplikimit të referendumeve nga populli për çështje me rëndësi, ka sjellë mungesë përfaqësimi dhe një Parlament që sa vjen e dobësohet, e varet gjithnjë e më shumë nga ekzekutivi. Ky nuk është vullneti i sovranit i shprehur me referendumin e vitit 1998. Pasi në të dyja herët, në vitin 2008 dhe 2020, Kushtetuta e Shqipërisë ndryshon jashtë vullnetit të drejtpërdrejtë të shprehur nga populli përmes referendumit.

Ndërsa në dy ndryshimet e rregullave themelore zgjedhore, si në vitin 2008 dhe 2012, edhe pse kanë qënë ndryshime të bëra me dialog të pjesshëm, përsëri është kërkuar opinioni dhe certifikimi i këtyre ndryshimeve nga Komisioni i Venecias57. Ndërsa këtë herë, jo vetëm që nuk është kërkuar ky opinion, jo vetëm që janë bërë këto ndryshime të njëanshme në sistemin zgjedhor shumë vonë dhe shumë afër datës së zgjedhjes, por është refuzuar dhe kërkesa e opozitës për marrjen e mendimit dhe asistencës së OSBE/ODIHR.

Nëse mazhoranca qeverisëse do të kishte një vullnet të sinqertë për të realizuar një reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe standardeve ndërkombëtare, do të duhej që gjatë shqyrtimit në Komisionin e Reformës Zgjedhore, pse jo dhe pas konstituimit të Këshillit Politik, t`i ishte drejtuar si OSBE/ODIHR, ashtu dhe Komisionit të Venecias për marrjen e një opinioni për të gjithë masat shtesë që ajo (mazhoranca) dëshironte të realizonte në rregullat zgjedhore.

Ky veprim nuk u krye, duke mos respektuar as kërkesat e shprehura të Opozitës së Bashkuar. Pikërisht për këto arsye, që konstatojnë faktin se këto ndryshime të shpejta, të padialoguara dhe të pa dakordësuara, vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve, cenojnë jo një, por disa parime dhe të drejta kushtetuese, ashtu si dhe standardet, angazhimet dhe praktikën e mirë zgjedhore europiane; në mungesë të Gjykatës Kushtetuese funksionale; dhe në respektim të kërkesës zyrtare që më është paraqitur nga Kryetari i Opozitës së Bashkuar për marrjen e një opinioni pranë Komisionit të Venecias, si President i Republikës, në datën 21 tetor 2020, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisionit të Venecias) për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces.

Presidenti i Republikës vlerëson se, pas kthimit në Kuvend të ligjit nr. 118/2020, mazhoranca duhet të reflektojë duke rishikuar qëndrimin e saj mbi këto rregulla të reja, dhe të sigurojë opinionin final nga Komisioni i Venecias, duke thirrur njëkohësisht dialogun gjithëpërfshirës përmes Këshillit Politik. Presidenti i Republikës ka bindjen se, me autoritetin e tij kushtetues, nëpërmjet këtij akti do të kontribuojë për ndërtimin e një shteti të së drejtës, demokratik e social për të garantuar një të drejtë themelore të njeriut, siç është e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Mbetem me besimin që, përmes këtij Dekreti, Presidenti i Republikës po krijon hapësirën e nevojshme kohore që mazhoranca qeverisëse të reflektojë dhe të vendos para interesave vetjake për mbajtjen e pushtetit, interesat e popullit shqiptar dhe të ardhmes europiane të tij. Bazuar sa më sipër, në mbështetje të nenit 85, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kam vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit nr. 118/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.”/Tpz

OPINIONE

INTERVISTA