Meta-Nikollës: Dështove me Reformën në Arsim

LSI ka prezantuar sot para qindra të rinjve platformën për arsimin. Në takimin e organizuar tek Universiteti Politeknik ose Korpusi merrte pjesë edhe Kreu i Kuvendit Ilir Meta. Duke folur për ligjin e arsimit të lartë të miratuar nga PS-LSI, Meta tha se nuk është arritur suksesi që u prit.

Para kreut të Kuvendit edhe bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi hodhi akuza ndaj Ministrisë së Arsimit për ligjin e arsimit të lartë.

“Po e nis me ligjin për arsimin e lartë i cili besohej se ishte një ligj me qëllime pozitive dhe i dha një goditje serioze atij arsimi fiktiv të lartë i cili cenonte cilësinë e dijeve por edhe besimin e të rinjve tek vlera e diplomës së tyre por njëkohësisht ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk kemi arritur atë sukses që është pritur dhe kërkuar. Kjo ka ndodhur mendoj për arsye se edhe kur i bëjmë ligjet e mira ende vazhdojmë të çalojmë në zbatimin e tyre. Pra, që tek aktet nënligjore, tek bashkëpunimi në zbatim të grupeve të interesit e me radhë. LSI e ka ngritur këtë shqetësim edhe gjatë debateve për arsimin e lartë, edhe para miratimi dhe kur është miratuar në kuvend”, deklaroi Meta.

Ai tha se ‘çështja e një ligji nuk ka të bëjë thjesht me statistikat se sa studentë mbeten të kënaqur apo të pakënaqur por suksesi i ligjit është që asnjë i ri të mos ndihet i lënduar nga një reformë e padrejtë’.

“Ndaj është e nevojshme të reflektohen të gjitha shqetësimet, e studentëve, grupeve të interesit etj. Do të mbështesja idenë që kemi nevojë për një sistem sa më integruar të arsimit. Pa dyshim që modeli finlandez është mjaft i vlerësuar dhe më rezultativi. natyrisht që nuk është e lehtë ta implementosh në një vend tjetër. Dua të nënvizoj rëndësinë e përqendrimit drejt një sistemi që ndihmon fëmijët të mësojnë se sa të memorizojnë. Rritja e kapaciteteve, aftësive përvetësuese, praktike mbetet vendimtare për një përgatitje të suksesshme në tregun e punës”, tha Meta.

Kreu i Kuvendit tha se është shumë e rëndësishme për ne, sidomos në kohët e sotme, në kohët e teknologjive të reja të investojmë shumë më tepër në inovacionin shkencor.

“Zhvillimi i nxënësve, i të rinjve me ndjenjën e mendimit alternativ dhe kritik është vendimtar në rritjen e aftësive krijuese në të ardhmen”, u shpreh ai. /BW.

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne