Meta paralajmëron deputetët: Sot ditë shumë e rëndësishme, merrni pesë minuta kohë dhe lexoni nenin 179!

Presidenti i vendit Ilir Meta, përmes një thirrje drejtuar deputetëve të Kuvendit, iu ka kërkuar atyre që të mos votojnë dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që pritet të hidhen në votim në seancën e sotme parlamentare.

Meta iu kërkon deputetëve që të gjejnë pesë minuta kohë dhe të lexojnë nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, që sipas tij përcakton radhën e institucioneve që propozojnë anëtarët për Gjykatën Kushtetuese.

Meta flet dhe për përplasjet me KED, dhe thotë se një pjesë e mbledhjeve të pazbardhura të këtij institucioni, do të bëhen shumë shpejt të ditura për publikun.

“Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!!”, shkruan Meta.

Postimi i presidentit:

Të nderuar deputetë,

Sot është një ditë tepër e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë!

Ju e dini që krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese!

Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë !

Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë!

Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.

Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!

Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!!

Përshëndetje nga Forumi i Paqes në Paris!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne