Presidenti i Republikës, Ilir Meta ripublikoi letrëndrejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi mbi zgjedhjen/emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Meta thekson se këtë letër duhet ta lexojnë mirë të gjithë deputetët para se të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre.
“Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetuese, vetëm në respekt të Kushtetutës, e cila ndan përgjegjësitë dhe radhën e ushtrimit të këtyre përgjegjësive nga secili institucion, po ju bëj publike letrën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, z.Gramoz Ruçi për këtë çështje mjaft të rëndësishme.
Po kështu, është e domosdoshme që këtë letër ta lexojnë me durim dhe kujdes, të gjithë deputetët përpara se të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre”,shkruan Meta.
Tri ditë më parë, në 7 nëntor
Presidenti Meta nuk zgjodhi anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese.
Në letërën që i drejtoi kreut të Kuvendit, Avokatit të Popullit dhe Këshillit të Lartë të Emërimeve në Drejtësi, Meta shkruante se 30 ditë janë të pamjaftueshme për tu emëruar dy gjyqtarë.
Sipas argumenteve ligjore që dha Kreu i Shtetit, së pari duhet të zgjidhte Kuvendi dhe më pas i takonte atij të zgjidhte anëtarin e dytë.
Në sqarimin e kreut të shtetit thuhet se ai ka përmbushur pa asnjë vonesë detyrimin kushtetues, për zgjedhjen e Anëtarit të parë, zotit Besnik Muçi, i cili aktualisht ka filluar ushtrimin e detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Ndaj, thote Presidenti, me të zgjedhur Kuvendi ai do të plotësojë vendin e mbetur bosh nga Altina Xhoxhaj.
Sipas Presidencës ushtrimi i kësaj të drejte kushtetuese të Presidentit të Republikës është tentuar të cënohet hapur nga veprimtaria administrative e ndjekur nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili i ka dërguar listat për plotësimin e kësaj vakance në të njëjtën ditë, me vakancën e parë.
/Ora News