Meta zbulon prapaskenat: Zgjedhjet do bëheshin dhe në korrik, por Rama dhe Basha…

Presidenti Ilir Meta u shpreh në komisionin hetimor se ishte i gatshëm të caktonte një datë për zgjedhjet lokale sa më të pranë afateve ligjore, por ka pasur ndasi mes palëve politike.

Kreu i shtetit u pyet në komisionin hetimor nëse e ka shtyrë datën e zgjedhjeve për shkak se opozita nuk mori pjesë. Meta e mohoi, listoi arsyet e shtyrjes së datës së zgjedhjeve dhe shtoi se nëse do të kishte konsensus mes palëve, atëherë data e zgjedhjeve do të dekretohej edhe në muajin korrik.

“S’kam pasur shqetësim të plotësoj tekat e opozitës, por ka pasur për qëllim të garantojë një proces zgjedhor gjithëpërfshirës sa më shumë të ishte e mundur, por në çdo rast për të shmangur që zgjedhjet të përfundonin në votime. Përveç gjithë arsyeve të mëparshme që kanë të bëjnë me sigurinë publike kombëtarë, me shmangien e një përplasje civile, me shmangien e një penalizmi afatgjatë të çeljes së negociatave, kjo që kam përmendur aty është një fakt që s’ka dominuar vendimmarrjen time, pra fakti që opozita s’është regjistruar”, tha Meta.

“Qëndrimi im ka qenë forcimi i institucioneve, kam pasur një qëndrim kritik ndaj lënies së mandateve. Kam qenë në Berlin kur opozita ka djegur mandatet. Mund ti referohem prononcimit tim në DW që kam kritikuar palët dhe kam thënë një hap pas duhet të bëjë opozita dhe dy hapa pas mazhoranca në respektimin e kushtetutës. Mazhoranca, në mënyrë të papranueshme vijoi me zëvendësimin e mandateve pa bërë përpjekje për dialog. Sa i takon krizës së përfaqësimit s’ka qytetarë që se di se Shqipëria është në një krizë të tmerrshme përfaqësimi. Kjo për faj të dy palëve. Se janë 180 deputetë që kanë dhënë dorëheqjen. Meqë listat kanë përfunduar, është e pamundur që të gjejë 20 të tjerë. Kush tha që zgjedhjet e reja s’do caktoheshin në korrik, nëse do kishte konsensus nga mazhoranca”, shtoi.

“Partive të opozitës u duhej dhënë kohë të reflektonin nëse do bëheshin pjesë e zgjedhjeve. Opozita e re do kishte mundësi të regjistrohej në zgjedhje për të caktuar zgjedhje me disa standarde, mos të shkonin në votime që cenojnë parimin e zgjedhjes, një nga parimet europiane, tha Meta.

Presidenti shtoi se ai bëri përpjekje për të ulur palët në diskutime, por nuk u ra dakort. “Ishte kokëfortësia e kryeministrit për të mos diskutuar 30 qershorin dhe kokëfortësia e kryetarit të PD për të mos u ulur në një tryezë me Ramën si km. Të dyja këto janë të papranueshme, sepse opozita për çfarë do bisedonte po të mos merrte pjesë?! I papranueshëm edhe kushti i Z.Basha që s’pranonte të ulej në një tryezë me kryeministrin”, shtoi ai./boldnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne