Michael Roth: Gjermania në krah të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së

“Shqipëria mund të vazhdojë të mbështetet në ndihmën dhe përkrahjen e Gjermanisë”, deklaroi të shtunën në Tiranë ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth.

Në një konferencë për shtyp pas takimit me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, Roth theksoi se “rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është e vështirë, por është një rrugë që në fund të fundit ia vlen dhe në vitet e kaluara Shqipëria ka shënuar një sërë arritjesh të rëndësishme”.

Sipas ministrit gjerman, në plan të parë janë arritjet që kanë të bëjnë me përforcimin e sistemit të demokracisë, të shtetit ligjor, të sistemit të drejtësisë dhe pavarësisë së tij.

“Qeveria federale është duke verifikuar të gjitha këto arritje dhe në bashkëpunim me Bundestagun do të pozicionohemi në të ardhmen për çeljen e këtyre negociatave. Argumentet për çeljen e negociatave sigurisht që nuk mungojnë, perspektiva e anëtarësimit për në BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht për Shqipërinë është në interesin jo vetëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por dhe në interesin tonë dhe ne duhet t’ua shpjegojmë këtë qytetarëve tanë”, theksoi Roth.

Duke folur për Vettingun, Roth theksoi se procesi i Vettingut është unik nga karakteri dhe shërben si model për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Gjatë takimeve në Tiranë, bisedova me përfaqësues të organeve të vendit dhe ekspertë ndërkombëtarë në këtë fushë. Ata më informuan që ky proces ka filluar të japë rezultatet e tij”, u shpreh Roth.

Ministri gjerman tha se lidhur me këtë teme ka biseduar edhe me Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafa, ku fokusi i bisedave kanë qenë problematikat lidhur me luftën kundër korrupsionit, terrorizmit, fusha që ata presin suksese të mëtejshme.

“Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësimin e vendit tuaj, tashmë po konfirmon këto arritje. Argumentet për çeljen e negociatave nuk mungojnë, perspektiva e Ballkanit Perëndimor për Shqipërinë në BE është edhe në interesin tonë”, nënvizoi Roth.

Ai vlerësoi të gjithë qytetarët e Shqipërisë për të gjitha ato që kanë bërë nëpërmjet përpjekjeve për të qenë pjesë e BE-së.

“Ne duhet të bëjmë përpjekje të mëtejshme për të ofruar mundësi punësimi për brezat e rinj, që janë të domosdoshëm për vendet evropiane. Duhet një administratë profesionale, një sistem drejtësie i pakorruptuar. Pres nga qeveria të vijojë zbatimin e reformave në mënyrë konsekuente”, shtoi ai.

Roth: Opozita të marrë përgjegjësitë e veta për të kontribuar në të gjitha proceset

Ministri gjerman theksoi se pret edhe nga opozita që të ndërmarrë përgjegjësitë e saj për të kontribuuar në të gjitha këto procese.

“Dje bisedova me Bashën, ishte një bisedë mjaft e mirë. Sado që mund të ekzistojnë konflikte në politikat e brendshme, çka është shenjë e një sistemi demokratik të gjallë, gjithsesi duhet të lini mënjanë ndasitë për të ecur para”, potencoi ai.

Por Roth këshilloi klasën politike shqiptare që në momentin e çeljes së negociatave, përfaqësues të shoqërisë civile të përfshihen në këtë proces, të gjithë ta ndjejnë këtë proces si një udhëtim të përbashkët.

Bushati: Besojmë te mbështetja e Gjermanisë

Ndërsa ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, tha se në fokus të bisedës ishin hapat që duhet të ndërmarrë Shqipëria në procesin e integrimit.

“Gjermania është kritikë e rreptë, por edhe partnere sa i përket procesit të anëtarësimit. Siç mund ta merrni me mend, fokusi kryesor i bisedës ishte në lidhje me hapat e mëtejshme që duhet të ndërmarrim në procesin e anëtarësimit në BE, duke marrë në shqyrtim qoftë procesin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, strategjinë e zgjerimit, e cila përcakton disa prej fushave kryesore ku do të përqendrohet bashkëpunimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në të ardhmen”, theksoi Bushati.

Shefi i diplomacisë shqiptare u shpreh se elementët thelbësore të hapave që duhen ndjekur janë dy: Ritmi i reformave dhe thellimi i tyre.

“Kemi dëgjuar me durim edhe hapat që duhen bërë në vijim, sepse, siç e ka thënë disa herë Kryeministri Rama që ditën e dorëzimit të raportit të KE-së, gjatë vizitës së përfaqësueses së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e deri në ditën e sotme, dy janë elementët thelbësore që shoqërojnë procesin e rekomandimit për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, nevoja për të mbajtur ritmin e reformave dhe për t’i thelluar më tej këto reforma, sepse këto nuk janë reforma që bëhen për Brukselin, Berlinin, Parisin apo Hagën, por janë reforma përmes së cilave shoqëria shqiptare vijon të zhvillohet dhe transformohet”, theksoi Bushati.

“Kemi besim që Gjermania është një partner që ka një lexim shumë të qarët qoftë për arritjet që kemi, ashtu edhe për atë se çfarë duhet të bëjmë më mirë dhe besojmë fuqimisht në mbështetjen e fuqishme të saj në procesin e vështirë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim”, u shpreh ndër të tjera ministri Bushati. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne