Mijëra bileta dhe abone false, pranga tetë personave në Tiranë

Krimi Ekonomik godet evazionin fiskal dhe informalitetin në shoqëritë e transportit urban. Operacioni policor “Bileta e falsifikuar” ka çuar në pranga 8 persona, 4 prej tyre administratorë shoqërish transporti.

Policia sekuestroi 150 000 bileta të falsifikuara.

Arrestimet u bënë nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, pas një hetimi një mujor me metoda speciale të hetimit.

Njoftimi i plotë i policisë:

F. I., 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti;

F. V., 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti;

A. V., 51 vjeçe, banuese në Tiranë, me funksion administratore dhe ortake e një shoqërie transporti;

E. V., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë administratore e një shoqërie transporti;
L. A., 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë dispeçer i një linje autobusash;

A. D., 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre dispeçer i një linje autobusash;

K. Q, 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë ekonomiste në një shoqëri autobusash;
A. I., 20 vjeç, banues në Tiranë, të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale, në tentativë për t’i asgjësuar.

Siç bën me dije policia, “të arrestuarit dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri -tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë”.

Këta shtetas përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhuar në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare.

Nëpërmjet këtyre veprimeve, policia thotë se i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, i cili do të përllogaritet në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 150 000 bileta urbani të falsifikuara, vënia në përdorim e të cilave kap vlerën 6 000 000 lekë të reja.

Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një automjet i markës “Masserati”, 4 aparate celulare, në posedim nga personat nën hetim, kartela të ndryshme financiare të plotësuara me shkrim dore, 5 libra arkash, 62 blloqe mandatesh arkëtimi, 350 kopje mandatesh arkëtimi , si dhe dokumente të tjera me shënime të ndryshme.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor vijojnë hetimet me intensitet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i letrave me vlerë” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne