Bota

Mijëra qytetarë në Argjentinë protestojnë kundër ndihmave financiare nga FMN

Mijëra argjentinas të premten protestuan kundër vendimit të qeverisë për të kërkuar kreditim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilin ata e fajësojnë për vështirësitë gjatë një krize të kaluar financiare.

Nën moton “vendi është në rrezik”, partitë opozitare, sindikatat, organizatat për të drejtat e njeriut dhe artistët morën pjesë në marshimin afër obeliskut emblematik në kryeqytetin Buenos Aires.

Presidenti Mauricio Macri njoftoi më herët këtë muaj se Argjentina do të fillojë bisedimet me FMN-në dhe do të kërkojë kreditim për të financuar qeverinë e tij. Kjo deklaratë u pasua me një zhvlerësim të madh të monedhës vendase peso.

Por vendimi i qeverise ka risjellë kujtime të këqija për argjentinasit. Shumë fajësojnë FMN-në për futjen e politikave që çuan në krizën më të keqe ekonomike të Argjentinës në vitin 2001.

Shumë argjentinase fajësojnë masat shtrënguese të FMN-së për përkeqësimin e krizës. Në atë krizë u humbën miliona dhe ekonomia e Argjentinës pësoi rënie të madhe pasi borxhi i vendit kapi shifrën rekord prej 100 miliard dollarësh./dailysabah/Gazeta Impakt

OPINIONE