Milionat që qarkullon tregu i ‘Gabit’ në Shqipëri

Si kërpudhat pas shiut, dyqanet e rrobave të përdorura po lulëzojnë në Tiranë prej disa kohësh.

Të dhënat e INSTAT tregojnë për një rritje të fortë të importit të veshjeve të përdorura që prej 2012-s, ndërsa operatorët e vegjël në treg shtojnë se konkurrenca në këtë sektor është rritur shumë…

Një biznes, që po rinjeh lulëzim, në një periudhë që konsumi mbetet i tkurrur, është i ashtuquajturi “Gabi”. Sipas të dhënave zyrtare, tregtia e rrobave të përdorura po njeh një zgjerim të vazhdueshëm që nga 2012, duke arritur nivelet rekord vitin e kaluar.
Për 2016-n, sipas të dhënave nga INSTAT, vlera e importeve të veshjeve të përdorura është rreth 2.8 miliardë lekë, apo rreth 20 milionë euro, me një rritje prej 13% krahasuar me një vit më parë.
Treguesit pohojnë se marzhi i qarkullimit të veshjeve të përdorura është tepër i lartë, duke bërë që tregu i pakicës të jetë minimalisht tre-katër herë më i lartë se vlera e mallit që hyn në doganë, çka bën që tregu i pakicës së Gabit të arrijë në 60-80 milionë euro në vit.

Sokol Xhelili, i cili që nga 2013-a ka tregtuar rroba të përdorua, tha për ‘Monitor’ se rritja e kërkesës nga konsumatorët për veshje të përdorura ka bërë që të shtohet numri i operatorëve të vegjël në treg, duke ndikuar në zgjerimin e kërkesës për këto mallra, si dhe në shtrenjtimin e çmimit me shumicë të tyre.
Operatorët në tregun e rrobave të përdorura operojnë duke blerë mallin me kilogramë dhe duke e shitur me copë, duke gjeneruar kështu marzhe të larta fitimi. Çmimi për kilogramë për veshje të përdorura varion nga 400 lekë- 2000 lekë.
Ola, që administron një dyqan të veshjeve të kategorisë së mesme dhe të lartë në rrugën “Myslym Shyri” thotë se vitet e fundit shitjet kanë qenë shumë të dobëta. Krahas qendrave tregtare, që po marrin një pjesë të konsiderueshme të klientëve, dyqanet e rrugëve kryesore po ndiejnë konkurrencën edhe të Gabit. Konsumatorët janë gjithnjë në kërkim të çmimeve sa më të lira, duke rendur edhe drejt të përdorurave, thotë Ola.
Një tjetër biznes që po shënon rritje është edhe ai i këpucëve dhe sidomos atleteve të përdorura, për të cilat gjithsesi nuk ka të dhëna për importet nga INSTAT, por është e dukshme që numri i tyre, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera, sa vjen e shtohet. Shumë dyqane po ndryshojnë destinacion, duke u kthyer në tregtues të mallrave të përdorur.

Sipas të dhënave nga INSTAT rreth 50% e tyre vijnë nga shteti fqinj Italia, por edhe nga vende të tjera si Kina, Gjermania dhe Turqia.
Biznesi i mallrave të përdorura (kryesisht veshje, këpucë, çanta) u zhvillua menjëherë pas viteve ’90 kur vërshuan ndihmat dhe që mori emrin popullor “Gabi”. Më pas, ritmi ra, teksa të ardhurat e konsumatorëve u rritën dhe preferencat u zhvendosën drejt veshjeve të reja.

Por vitet e fundit, tregtia e veshjeve dhe këpucëve të përdorura është “sofistikuar”, duke u zhvendosur nga rruga e fushat në dyqane të mirëfillta (që paguajnë taksa) dhe duke u bërë një prej bizneseve që po përfiton nga kriza.
Të dhënat afatgjata të INSTAT tregojnë se rritja e ndjeshme ka filluar pas vitit 2012, pikërisht kur kriza e pas 2009-s filloi të jepte efektet në konsum.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne