Ministrat e Jashtëm të 3 vendeve garantuese të formatit të Astanës takohen në Nju-Jork

Ministrat e Jashtëm të Turqisë, Rusisë dhe Iranit arritën në marrëveshje për të ndihmuar në organizimin e mbledhjes së parë në Gjenevë të Zvicrës të Komitetit Kushtetues, të themeluar për zgjidhjen e krizës në Siri.

Ministrat e Jashtëm të 3 vendeve garantuese të formatit të Astanës mbajtën një takim trepalësh në Nju-Jork në kuadër të sesionit të 74-ët të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas takimit mes ministrit të Punëve të Jashtme të Iranit, Xhevad Zarif, të Rusisë, Sergej Lavrov dhe të Turqisë, Mevlut Çavusoglu u publikua një deklaratë e përbashkët.

“Vendet garantuese të Astanës konfirmuan përkushtimin e fortë për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë dhe theksuan se të gjitha palët duhet t’i respektojnë këto parime”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë, ku shprehet kënaqësia nga formimi i Komitetit Kushtetues, në mes tjerash u tha: “Si rezultat i samitit të fundit trepalësh të mbajtur në Ankara në 16 shtator 2019 përfundoi procesi i themelimit të Komitetit Kushtetues dhe më 23 shtator 2019 palët në Siri ranë dakord të zbatojnë rregullat e procedurës të përgatitura nga garantuesit e Astanës në koordinim me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB për Siri”.

Në deklaratë, ku theksohet se do të mbështeten punimet e Komitetit Kushtetues në Siri, në mes tjerash u vu në dukje angazhimi për të mbështetur punën e Komitetit Kushtetues përmes ndërveprimit të vazhdueshëm me palët siriane dhe Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB për Siri.

Gjithashtu thuhet se është rënë dakord për të ndihmuar në thirrjen e seancës së parë të Komitetit Kushtetues në Gjenevë të Zvicrës./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne