Ministrat turq dhe rusë të mbrojtjes bisedojnë për Idlibin e Tel Rifatin

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare se Turqise, Hulusi Akar ka realizuar të shtunën një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Sergey Shoygu.

Në këtë bisedë telefonike ministrat e mbrojtjes kanë diskutuar për çështjet e sigurisë, me theks të veçantë situatën e fundit në Idlib dhe Tel Rifat të Sirisë në suazën e Marrëveshjes së arritur më 17 shtator në Soçi të Rusisë.

Në bisedë u përcaktuan edhe masat teknike dhe taktike që duhen marrë në terren, bëjnë të ditur burimet turke.

Akar dhe Shoygu gjithashtu konfirmuan konsensusin e tyre rreth punës së përbashkët për sigurimin dhe ruajtjen e paqes dhe qetësisë në Idlib dhe Tel Rifat, sipas të njëjtit burim.

Ministri Akar bashkë me Shefin e Shërbimit Informativ Kombëtar Turk (MIT), Hakan Fidan të martën ishin takuar në qytetin Soçi të Rusisë me ministrin e Mbrojtjes së Rusisë, Sergey Shoygu dhe autoritetet e tjera ruse.

Pas një takimi mbajtur më 17 shtator 2018 në Soçi midis Presidentit Rexhep Tajip Erdoan dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, të dyja palët ranë dakord për krijimin në provincën Idlib të Sirisë të një zone të çmilitarizuar, në të cilën luftimet në terren mes grupeve dhe forcave të regjimit do të ishin të ndaluara shprehimisht.

Sipas kushteve të marrëveshjes, grupet e opozitës në Idlib do të tërhiqnin nga zona armatimin e rëndë duke ruajtur pozicionet e tyre në zonat ku ata janë të pranishëm, ndërsa Rusia me Turqinë do të kryejnë patrullime të përbashkëta në zonë për të parandaluar rifillimin e luftimeve./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne