Rajoni

Ministri Ademi shpalos investimet kapitale në arsim

Ministri i Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë, Arbër Ademi, në një konferencë tematike për mediat ka shpalosur investimet kapitale në arsim, të cilat siç tha, paraqesin një vazhdimësi të përmirësimit të kushteve në shkollat fillore dhe të mesme.

Sa i përket projekteve, Ademi veçoi se tashmë ka filluar vlerësimi i dëmeve të godinës së shkollës “11 Tetori” në Bogovinë, e cila u përfshi nga zjarri në vitin 2017, ku mësojnë 210 nxënës, dhe sipas vlerësimeve të tij, objekti do të jetë funksional në gjysëmvjetorin e dytë.

Sa i përket ndërtimeve të reja, është shpallur furnizim publik për ndërtimin e një godine të re në Komunën e Studeniçanit, me çka nxënësit në fshatrat Batincë dhe Lubosh do të kenë godinë të re shkollore për 300 nxënës, për çka janë planifikuar 55 milionë e 460 mijë denarë për tre vite fiskale.

Ademi informoi edhe për furnizime publike për rikonstruktimin ose ndërtimin e objekteve shkollore për shkolla fillore dhe të mesme, ndërsa foli edhe për rekonstruime të cilat parashohin fasadime, instalime elektrike, vendosjen e sistemit për ngrohje dhe efikasitet energjetik, etj, shuma e të cilave është rreth 77 milionë e 888 mijë denarë.

Siç tha më tej Ademi, në shtator duhet të përfundojnë punët ndërtimore nga rekonstruktimi i blloqeve V dhe G të Konviktit të studentëve “Goce Dellçev”, ndërsa në gusht do të fillojë furnizimi me mobilie të reja për 18 konvikte të nxënësve në vlerë prej rreth 50 milionë denarësh.

“Përmirësimi i kushteve në konviktet e nxënësve dhe të studentëve është me rëndësi të madhe në vitin shkollor 2017/2018 në shtëpitë e studëntëve e nxënësve kishte rreth 2.400 nxënës, ndërsa në konviktet e studentëve – mbi 5.500 studentë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ministria participon me rreth 180 milionë denarë për strehim dhe ushqim të nxënësve dhe me 200 milionë denarë për studentët. Në këto vlera nuk hynë bursat e MASH-it – rreth 40 milionë denarë për nxënës dhe rreth 400 milionë denarë për bursa në kategori të ndryshme të studentëve”, tha ministri Ademi.

Ai sqaroi se tashmë janë shpallur furnizime publike për rekonstruim dhe ndërtimin e godinave shkollore dhe të njëjtat janë publikuar në Sistemin Elektronik të Furnizimeve Publike.

Burimi: AA

OPINIONE