Ministri grek, Kotzias: “Në qershor mbyllim çështjet me Shqipërinë”

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë  në takimin e Tretë Ndërministror mes Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, i cili u mbajt në Selanik më 3 dhe 4 maj 2018, me pjesëmarrjen e Ministrave të Jashtëm, të Brendshëm dhe të Infrastrukturës të katër vendeve.

Në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet me të fundit rajonale, veçanërisht pritshmërinë për avancimin e rrugës evropiane të Shqipërisë, por edhe të Maqedonisë pas rekomandimit të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave. Ky takim ndërministror diskutoi mbi ecurinë e perspektivës evropiane të rajonit, skicimin e projekteve të reja dhe nxitjen e bashkëpunimit politik me Greqinë dhe Bullgarinë, si partnere të rëndësishme në rajon dhe mbështetëse të procesit të përafrimit me Bashkimin Evropian. Temë e  diskutimeve ishte edhe identifikimi i sfidave të sigurisë për rajonin, që burojnë nga zhvillimet  e fundit në Lindjen e Mesme, në rajonin e Mesdheut Lindor dhe gjetkë, si dhe ndikimi i këtyre zhvillimeve në krizën migratore drejt Ballkanit.

Në fjalën e mbajtur në Tryezën e Ministrave të Jashtëm, Ministri Bushati veçoi rëndësinë e këtij formati rajonal të bashkëpunimit për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe nxitjen e ndërveprimit në funksion të perspektivës së ardhshme evropiane të rajonit.

Nga ana tjetër, ministri Bushati zhvilloi një takim me homologun e tij grek, Nikos Kotzias, me të cilin morën në shqyrtim ecurinë e paketës së dakordësuar mes palëve në Kretë dhe Korçë, duke vlerësuar përmbylljen me sukses të një pjese të elementëve përbërës të saj dhe shprehën angazhimin për të vijuar me të njëjtin ritëm për të jetësuar zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e rëna dakord.

Ministri Bushati vlerësoi progresin e arritur në takimin e ekipeve negociatore javën e shkuar, ndërsa u shpreh optimist për takimin e radhës që do të zhvillohet në Athinë.

Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se disa çështje për të cilat palët kanë dakordësi finale janë në zbatim tashmë dhe po punohet për pjesën tjetër të paketës siç është njohja e patentave apo çështjet e kufirit detar dhe tokësor.

“…Është bërë progres, ka filluar puna me intesitet të plotë sa i përket diskutimeve për kufizimin e zonave detare. Është bërë një punë e mirë në Tiranë javën e kaluar, javës tjetër do të ketë një takim të eksporteve në Athinë. Ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria dhe Greqia të shkojnë drejt një marrëveshje të re që do të jetë e mirë për të dyja vendet dhe që do të jetë e zbatueshme…”.

Ministri Bushati bëri me dije se do të ketë një tjetër takim me homologun Kotzias për të diskutuar ecurinë e punës edhe pse Greqia është një vend i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë dhe ka një rol të veçantë në rajon./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne