Ministri i Iranit paralajmëron se do të godasë Arabinë Saudite

Irani do të godasë pjesën më të madhe të Arabisë Saudite, me përjashtim të vendeve më të shenjta të Islamit, nëse mbretëria bën ndonjë veprim “injorant”, citohet të ketë thënë të dielën ministri i mbrojtjes së Iranit, pasi një princ saudit kërcënoi se do të avanconte me “betejën” ndaj Iranit.

“Nëse sauditët bëjnë diçka injorante, nuk do të lëmë asnjë zonë të paprekur përveç Mekës dhe Medinës”, tha ministri iranian i mbrojtjes Hossein Dehghan nga agjensia e lajmeve Tasnim.

“Ata mendojnë se mund të bëjnë diçka për shkak se kanë një forcë ajrore”, shtoi ai në një referencë të dukshme ndaj Jemenit, ku avionët sauditë sulmojnë rregullisht forcat Houthi të lidhura me Iranin, që kontrollojnë kryeqytetin Sanaa.

Dehghan, duke folur në televizionin Al-Manar në gjuhën arabe, po komentonte vërejtjet e zv/kryeministrit saudit, Mohammed bin Salman, i cili tha të martën se çdo garë për ndikim midis mbretërisë muslimane sunite dhe teokracisë revolucionare shiite duhet të ndodhë “brenda Iranit, jo në Arabinë Saudite”.

Arabia Saudite dhe Irani konkurrojnë për ndikim në Lindjen e Mesme dhe mbështesin grupet rivale në luftën civile të Sirisë. Irani i mohon akuzat saudite se ai dërgon mbështetje financiare dhe nganjëherë edhe armë për grupet armiqësore ndaj Riajdit rreth botës arabe.

Në komentet jashtëzakonisht të ashpra në një intervistë televizive të martën, Princi Mohammed përjashtoi çdo dialog me Iranin dhe u zotua për të mbrojtur mbretërinë e tij konservatore nga ajo që ai e quajti përpjekja e Teheranit për të dominuar botën muslimane.

“Ne e dimë se jemi një objektiv kryesor për regjimin iranian”, tha ai. “Ne nuk do të presim derisa beteja të bëhet në Arabinë Saudite, por ne do të punojmë që beteja të bëhet në Iran e jo në Arabinë Saudite”. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne