Ministri i Kosovës: Taksa në Rrugën e Kombit e lartë, qeveria e Shqipërisë vetëm deklarata, asgjë konkrete për të hapur tregun

Të gjithë zërat nga Kosova flasin për dëm të biznesit që u shkaktohet nga taksa e lartë e qeverisë shqiptare për Rrugën e Kombit. Së fundmi ka qenë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili në emisionin “Përballje”, ka thënë se ministria që ai udhëheq është duke krijuar lehtësira dhe masa mbrojtëse për prodhuesit e vendit të saj.

Duke komentuar taksën e vendosur në Rrugën e Kombit, ai tha se mund të ndikojë tek bizneset dhe se kjo taksë prek edhe prodhuesit e Shqipërisë dhe të Kosovës.

“Jemi kundër taksave të larta, ne jemi dakord për një taksë, sepse ajo duhet të mirëmbajë rrugën mirëpo jo taksë të lartë…Pra shteti shqiptar është dashtë me pas kujdes… Ne a duhet edhe autostradës tonë t’i vendosim taksë sepse duhet të mirëmbahet por jo taksë të lartë”, – ka thënë Hasani.

Më tej Hasani ka theksuar se Kosova është shumë e gatshme për të hapur tregun me Shqipërinë por nuk ka gatishmëri nga ana e saj.

“Ka deklarime por nuk veprime konkrete”, – ka thënë Hasani.

Nga 15 prilli i këtij viti, çdo kosovar që shkon në Shqipëri me veturë duhet të paguaj 5 euro për shfrytëzim të autostradës në vetëm një drejtim. Ndërsa autobusët duhet të paguajnë 11 euro, kamionët e mesëm 16 euro e ata të rëndë 22 euro.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne