Ministri i Mbrojtjes Akar: Bisedimet me Greqinë do të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar tha se bisedimet me Greqinë do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme.

I shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneralarmate Jashar Gyler (Yaşar Güler), Komandanti i Forcave Tokësore gjeneralarmate Ymit Dyndar (Ümit Dündr), Komandanti i Forcave Detare admirali Adnan Ëzball (Özbal) dhe Komandanti i Forcave Ajrore gjeneralarmate Hasan Kyçykakjyz (Küçükakyüz), të premten ministri Akar mori pjesë në Ditën e Vëzhguesve të Shquar të stërvitjes “Ujku i detit 2019”.

“Aktivitetin e saj sondues dhe eksplorues Turqia do ta vazhdojë në hapësirat detare që janë në kompetencën e saj dhe në vendet, ku ajo është licensuar nga Republika Turke e Qipros së Veriut (RTQV) me cilësinë e vendit garantues (të RTQV) në kuadër të parimeve që respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat në mënyrë të ndërsjellët”,- u shpreh ministri Akar dhe shtoi: “Turqia nuk përbën kërcënim për asnjë vend, synimi ynë është që të garantojmë sigurinë e tokave të atdheut tonë, të ujërave të kaltra të atdheut tonë (deteve), qiejve dhe kombit tonë fisnik; të kontribuojmë në qetësinë dhe stabilitetin e rajonit tonë ashtu siç kemi bërë deri më sot”.

Turqia është për zgjidhjen e problemeve në Egje, Mesdheun Lindor dhe në Qipro me mirëkuptim në kuadër të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të drejtës ndërkombëtare,- nënvizoi Hulusi Akar,- dhe këtë qëndrim të saj Turqia e shpreh në çdo rast dhe i vazhdon përpjekjet e saj në këtë drejtim, shtoi ai.

“Në këtë suazë në Athinë përfunduan bisedimet mes delegacioneve në përputhje me dakordësimin që kishim arritur me homologun tim të nderuar, ministrin e Mbrojtjes (së Greqisë), Evangelos Apostolakis. Ndërkohë që ne do ti vazhdojmë me këmbëngulje të gjitha qasjet pozitive e konstruktive, ajo çfarë presim me sinqeritet është shmangia nga iniciativat që shpërfillin të drejtat që na japin neve ligjet ndërkombëtare në Egje dhe Mesdheun Lindor dhe moslejimi i sjelljeve provokuese dhe deklaratave të papërgjegjshme që nuk sjellin asnjë dobi në zgjidhjen e problemeve”,- përfundoi ministri Akar./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne