Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit shkoi në Emiratet e Bashkuara Arabe

Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Yisrael Katz shkoi në Emiratet e Bashkuara Arabe, me të cilat vendi i tij nuk ka marrëdhënie diplomatike, për të marrë pjesë në konferencën për klimën, të organizuar nga Kombet e Bashkuara.

Sipas deklaratës me shkrim të bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit, Katz është takuar me autoritetet vendore në Abu-Dabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Bëhet e ditur se në takime është biseduar për ndikimin e Iranit në rajon dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Gjithashtu ministri izraelit u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Katz doli në fotografi në kujtim të vizitës përpara xhamisë “Sheiku Zajid” dhe duke shprehur kënaqësinë që ndodhet në Abu-Dabi, tha: “Kjo vizitë është një tregues i rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve të Izraelit me vendet e rajonit”.

Edhe më herët, disa ministra izraelitë kishin vizituar Emiratet e Bashkuara Arabe, me të cilat Izraeli nuk ka marrëdhënie diplomatike.

Ndërsa sportistët izraelitë kishin marrë pjesë në turneun “Judo Grand Slam”, që u zhvillua në tetor të vitit 2018 në Abu-Dabi./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne