Buxheti i Ministrisë së Brendshme për vitin 2018 pritet të rritet me 8,4% krahasuar me një vit më parë.
Rritjen më të madhe në këtë drejtim pritet ta kenë policia me 103%, ndërsa 63 milionë lekë do të investohen për pajisje sekrete në luftën kundër krimit të organizuar.
Lajmi u bë me dije nga ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj, i cili, gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të mërkurën në Komisionin e Sigurisë, u shpreh se investimet kryesore në vitin 2018 do të përqëndrohen në fusha si policia, garda apo investimet në pajisje sekrete për luftën kundër krimit të organizuar .
“Buxheti ka një rritje me 8,4% krahasuar me vitin 2017. Investimet janë në tre fusha: Për policinë 103%, garda dyfishim. Investimet do të jenë 47% në luftën kundër krimit të organizuar, 22% rritjes së standardit të shërbimit ndaj qytetareve dhe 31% për formimin e kapaciteteve të personelit. Agjencitë partnere na kanë dhënë buxhet shtesë, veçanërisht SHBA-ja dhe BE-ja. Do të ketë investime në pajisje sekrete, që nuk i përmend dot; pajisje për policinë kriminale e shkencore. Do të shtojmë serverat. Do të blejmë motorë lundrues për drejtoritë kufitare bregdetare”, deklaroi Xhafaj, që sqaroi për deputetët e pranishëm në komision se “63 milionë lekë do të përdoren për blerje dhe 80% e këtij fondi për pajisje përgjimi”.