Ministria e Mbrojtjes e Rusisë provon me fakte implikimin e Ukrainës në rrëzimin e avionit malajzian MH17

Sot, në një konferencë për shtyp Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se e ka identifikuar raketën, me të cilën në vitin 2014 në lindje të Ukrainës u rrëzua avioni malajzian “Boeing” që fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur.

Bëhet fjalë për raketën e kompleksit raketor kundërajror “Buk”, një fragment i së cilës është treguar në maj të vitit 2018 nga Ekipi i Përbashkët Ndërkombëtar Hetimor. Në bazë të imazheve të paraqitura, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka mundur të përcaktojë numrin e raketës. Numri unik serial i vendosur nga prodhuesi është 872. Pasi është ndërmarrë deklasifikimi i disa dokumenteve sekrete, është mësuar se raketa është prodhuar në qytetin Dollgoprudni (rrethi i Moskës) më 24 dhjetor 1986 (dokumentacioni përkatës ruhet ende në uzinë), ndërsa më datë 29 dhjetor është transportuar në rrugë hekurudhore në repartin ushtarak Nr. 20/152 (sot Brigada Nr. 223 e raketave kundërajrore e Forcave të Armatosura të Ukrainës). Ai repart ka qenë pjesë e rrethit ushtarak “Prikarpatski” dhe ka qënë i dislokuar në qarkun e Ternopolit të Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës. Reparti në fjalë nuk është tërhequr kurrë në Rusi, pra raketa nuk mund të kthehej në territorin e vendit tonë.

Siç është theksuar tashmë nga Ministria e Mbrojtjes, raketa e sipërpërmendur në asnjë mënyrë nuk mund t’i përkiste Forcave të Armatosura të Rusisë, pasi të gjitha raketat e prodhuara në atë vit (1986) janë shkatërruar që në vitin 2011.

Është e rëndësishme të përmendet se vetë Ukraina me deklaratat e saj ka dëshmuar se sistemi raketor kundërajror “Buk” dhe raketat e tij nuk mund të binin në duart e rebelëve të Republikave Popullore të Donjeckut dhe Luganskut.

Gjithashtu, gjatë konferencës për shtyp është paraqitur një regjistrim i bisedave të interceptuara telefonike të ushtarakëve ukrainas të bëra në vitin 2016 në rajonin e Odesës gjatë përgatitjes së një njësie të trupave teknike raketore të Forcave të Armatosura të Ukrainës për stërvitjen “Rubezh-2016”. Në regjistrim ushtarakët, në veçanti, diskutojnë për rrëzimin e avionit malajzian “Boeing”. Në të dëgjohet zëri i kolonelit të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Ruslan Grinçak, i cili nga viti 2009 deri në vitin 2015 ka drejtuar Brigadën radioteknike Nr. 164 të Mbrojtjes Kundërajrore të Ukrainës që në vitin 2014 ishte e pranishme në zonën e konfliktit në Donbas.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes theksuan se materialet video dhe foto të përdorura në hetimin e Ekipit të Përbashkët Hetimor janë të rreme. Ministria e Mbrojtjes ka konstatuar se videot e prezantuara nga Ekipi i Përbashkët Hetimor për zhvendosjen e sistemit “Buk” nga Federata Ruse në territorin e Ukrainës janë të falsifikuara. Ekspertë rusë kanë arritur në këtë përfundim pas një studimi të hollësishëm të këtyre videove. Rezultatet e studimit u bënë publike gjatë konferencës.

I gjithë informacioni i prezantuar nga Ministria e Mbrojtjes është dërguar në Holandë. Pala ruse shpreson që Ekipi i Përbashkët Hetimor jo vetëm do t’u kushtojë vëmendje këtyre të dhënave, por edhe do t’i përdorë ato në punën e tij.

Burimi: Ambasada ruse ne Shqiperi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne