Ministrja e Bashës kallëzon zyrtarin e lartë e Ramës

Ministrja teknike e Arsimit, Mirela Karabina ka kallëzuar penalisht Sekretarin e Përgjithshëm të MAS, Plerent Ndreca.

Arsyeja e këtij kallëzimi në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në atë të Tiranës ka të bëjë me shkeljen ligjore të bërë sëfundimi nga Plarent Ndreca.

Mësohet sipas denoncimit të ministres teknike, se Plarent Ndreca është hequr si titullar i autoritetit kontraktor të MAS dhe ka firmosur kontrata me vlerë 8.6 milionë lekë me subjektet.

Njoftimi i plotë i MAS:

Në vijim të kallëzimit penal me Nr. 2466-M, datë 12.06.2017 për shtetasin Plarent Ndreca, për shkelje të rënda ligjore të bëra gjatë ushtrimit të detyrës së tijsi Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit deri më datën 13.06. 2017, titullari këtij institucioni znj. Mirela Karabina, ka depozituar, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Kallëzimi Penal me Nr.Protextra 12, datë 24.07.2017 për shtetasin Plarent Ndreca,i pezulluar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm si dhe i shfuqizuar nga kompetencat që përmban ky funksion.

Kallëzimi është bërë përshkak se z. Ndreca në kundërshtim me aktet ligjore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka firmosur si Titullar i Autoritetit Kontraktor për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit një kontratë me operatorin ekonomik  “Albdesign PSP”, sh.p.k., me objekt: Loti I: “Shtypja dhe botimi i dëftesave, regjistrave, dhe revistës “Mësuesi”’, me fond limit 8’600’937 (Tetëmilion e gjashtëqind mijë e nëntëqind e tridhjetë e shtatë) lekë pa TVSH.

Përdorimi abuziv i titullit “Titullari i Autoritetit Kontraktor të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, jemi të bindur se përbën vepër penale.

Konsiderojmë se vazhdimi i ushtrimit të paligjshëm të funksioneve shtetërore nga ana e shtetasit Plarent Ndreca është shpërdorim i hapur i detyrës me pasoja të rënda ligjore dhe financiare për Institucionin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Buxhetin e Shtetit.

Ministri i Arsimit dhe Sportit është i vendosur të denoncojë çdo rast që cenon funksionimin e institucionit, shpërdorimin e fondeve të buxhetit të shtetit si dhe akte të korrupsionit, në institucionin që ajo drejton.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne