Ministrja e Kosovës tregon datën kur merret vendimi final për vizat

Një ditë pasi Parlamenti Evropian (PE) votoi për liberalizimin e vizave për Kosovën, Ministrja e Integrimit Evropian në Kosovë, Dhurata Hoxha bëri të ditur edhe datën se kur pritet të merret vendimi final për heqjen e vizave.

Hoxha tha se Këshilli i Minsitrave (në të cilin do të merret vendimi i fundit për vizat), do të mbajë mbledhje në muajin tetor dhe dhjetor. Me këtë rast, aty edhe do të bëhet e ditur nëse Kosovës do t’i hiqen përfundimisht vizat apo jo.

“Sa i takon votimit në Këshillin e Ministrave apo vendimit final, ata takohen në tetor dhe pastaj takohen edhe në dhjetor. Pra, koha se kur takohet Këshilli në tetor është 11-12 tetor dhe 6-7 dhjetor”- tha ajo.

Pas votimit në Këshill, Hoxha bëri të ditur se do të caktohet edhe data e implementimit të vendimit nese është pozitiv.

“Këshilli i ministrave përbëhet nga ministrat e brendshëm dhe të drejtësisë dhe aty duhet të votohet pro plotësim-ndryshimi i rregullores, rregullore kjo që pastaj me miratimin në Këshillin e Ministrave e përcakton edhe datën se kur do të hyjë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave”- u shpreh ish-ministrja e drejtësisë.

Të gjitha këto procedura, siç ajo u shpreh, mund të përfundojnë deri në fund të këtij viti, ndonëse pohoi se vendimi final varet prej shteteve anëtare.

“Deri këtu ku kemi ardhur kemi lobuar dhe lobimi do të vazhdojë. Por vendimi përfundimtar varet nga shtetet veç e veç. Na mbetet që të vazhdojmë të intensifikojmë fushatën lobuese, komunikimin e drejtpërdrejtë me shtetet anëtare”- shtoi Hoxha.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne