Lëvizjet në polici, disa ish-shefa nuk janë dakort me ndryshimet dhe refuzojnë detyrat e reja
Strategjia e përdorur në shkarkimet masive të drejtuesve të Policisë në vitin 2013, me Drejtorinë e Studimeve Strategjike, duket se po përdoret edhe tani. Në atë kohë të gjithë drejtuesit e lartë të Policisë u shkarkuan nga detyra dhe u emëruan specialistë të Studimeve Strategjike, ku më vonë u shkurtuan funksionet organike dhe ata mbetën pa punë. Ndërsa sot, drejtuesve të Policive Vendore, që u shkarkuan nga detyra, u është propozuar detyra e specialistëve në sektorë të ndryshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Shumë prej ish-drejtuesve vendorë kanë refuzuar një propozim të tillë, duke e konsideruar si ulje në detyrë pa ndonjë motiv konkret, apo të paktën të akrsyetuar me shkrim nga eprori i tyre. Mes drejtuesve që kanë refuzuar një pozicion të tillë pune është edhe Ervin Hodaj, ish-drejtori i Policisë së Tiranës, që u zëvendësua nga Ardi Veliu, ditën që bëri dy vjet në krye të Policisë së Tiranës. Hodajt i është propozuar të drejtojë Sektorin e Sekretarisë dhe Protokollit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, detyrë që të paktën deri tani nuk e ka pranuar.
Në këto rrethana, disa prej ish drejtorëve të Policive Vendore vijojnë të jenë në pritje të emërimit, por mbase edhe të ndonjë kërkese për plotësimin e ndonjë deklarate me shkrim, për të argumentuar arsyet e refuzimit të postit të propozuar. E njëjta formë u përdor edhe në nisjen e “fushatës” së shkarkimeve e emërimeve në Polici, ku shumë drejtues të lartë refuzuan fillimisht emërimet, derisa iu kërkua një deklaratë me shkrim. Përballë kësaj situate dhe dyshimeve për ndonjë masë të mundshme në rast hezitimi, duket se deri diku drejtuesit e lartë nuk kanë pasur rrugë tjetër, veçse të pranojnë postet e propozuara.