Misteri i pallatit 11-katësh i sheikut të Durrësit: A do ta korruptojë Vangjush Dako SPAK-un siç korruptoi prokurorët e Llallës?!

Dekadën e fundit, në Shqipëri janë krijuar dhe konsoliduar, me anë të abuzimit me tendra, licenca dhe leje ndërtimi, disa sheikë vendorë, shembja e të cilëve do të jetë kryesfida e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i njohur edhe si ‘Gjushi i betonit’, është një ndër përfaqësuesit më të denjë të këtij sulltanati. Vangjush Dako është një ndër kryebashkiakët e vetëm, i cili është pronar i një pallati 11-katësh te Shkëmbi i Kavajës. Pallati i Vangjush Dakos, me sipërfaqe mbi 3 mijë metra katrorë, është i rrethuar me mister, ndërsa herë pas herë ka tërhequr edhe vëmendjen e institucioneve që merren me verifikimin e pasurive të zyrtarëve.

Së pari ka dyshime mbi mënyrën se si Vangjush Dako ka mundur të ndërtojë një pallat, te Shkëmbi i Kavajës ku është 100 për qind pronar, kur kryebashkiaku i Durrësit nuk figuron që të ketë paguar taksa për ndonjë veprimtari biznesi, për të justifikuar një pasuri, që ai e vlerëson rreth 700 mijë USD, por që në të vërtetë, ka vlerën e disa milionë USD. Së dyti, Vangjush Dako, nga verifikimet e kryera, rezulton se nuk ka deklaruar asnjë të ardhur nga pallati në fjalë. Te kesh në pronësi një pallat me 11-katësh, sigurisht që gjeneron të ardhura vjetore, qoftë duke dhënë ambiente me qira, qoftë edhe duke shitur apartamente. Edhe nëse nuk gjeneron të ardhura, ka një kosto për mirëmbajtjen e tij. Prej 10 vitesh nuk ka asnjë të dhënë mbi fatin e pallatit në pronësi të Dakos.

Mbetet mister fakti nëse pallati i Dakos është apo jo me leje, për shkak të zonës ku është ndërtuar. Pas çdo interesimi, organet shtetërore nuk japin një përgjigje të qartë për këtë, për shkak të lidhjeve të forta politike të kryetarit të Bashkisë së Durrësit. Nga të dhënat, Dako e ka marrë lejen për ndërtimin e pallatit nga ish-Komuna Rrashbull, jo para se të ndërtohej, por pasi është ndërtuar objekti. Pallati është ndërtuar në shkelje të ligjit, pasi studimi urbanistik i KRRTRSH që është bërë në vitin 2003 parashikonte që objektet që do të ndërtoheshin në atë zonë duhet të ishin deri në tre kate plus papafingo.

Gjatë viteve të fundit, organet shtetërore e kanë thirrur disa herë Dakon për të dhënë sqarime mbi pasuritë e tij, por gjithçka ka mbetur në kufirin e verifikimeve dhe të sqarimeve, pasi njeriu që ka shkatërruar Durrësin ka treguar se është imun në raport me drejtësinë e kalbur në Shqipëri.

Vitet e fundit, sipas të dhënave të siguruara nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, me një të rënë të lapsit ka siguruar edhe 6 apartamente banimi dhe plot 11 garazhe. Për këtë pasuri, rezulton se Dako ka sakrifikuar vetëm 600 metra katrorë tokë. Gjatë viteve që Dako drejton bashkinë e dytë më të rëndësishme në Shqipëri, prokuroria ka nisur disa procese hetimore për paracaktuesin e tenderave, por pas çdo hetimi Dako ka dalë edhe më i fortë.

Sipas analizave, që nga drejtimi nga Vangjush Dako, Bashkia Durrës kryeson listën e të gjitha bashkive në Shqipëri sa i përket dënimit ekonomik që ka shkaktuar me tendera dhe me vendime të tjera me kosto ekonomike. Vetëm për periudhën 2007-2010, vihet re se bashkia me vlerën më të madhe të dëmit ekonomik është Bashkia e Durrësit me 58 667 000 lekë. Përveç dëmit ekonomik të shkaktuar, emri i Vangjush Dakos lidhet edhe me një tjetër meritë historike, pasi e ka bërë Durrësin të pabanueshëm./Pamfleti.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne