Misteri i vetëvrasjes së dy shoqeve të ngushta, shenja në bankë dhe dyshimet e prokurorisë

Vetëvrasja e dy shoqeve nga Prizreni është një ngjarje ende e pazbardhur dhe plot mister. Kështu, gati një muaj pasi një nxënëse e shkollës së mjekësisë u hodh nga kati i pestë i një ndërtese, e pas dy javësh edhe shoqja e ngushtë, Prokuroria në Prizren po heton disa pista që mund të kenë çuar deri në vdekjen e dy të miturave. Shantazhi dhe shtytja në vetëvrasje, këto janë dy nga pistat të cilat po hetohen nga Prokuroria Themelore e Prizrenit. Këtë fakt e ka konfirmuar për Express, kryeprokurori i kësaj prokurorie, Admir Shala.

“Jemi duke mbledhur informacione. Sot e kemi pasur takimin me hetuesit e rastit, dhe kemi dhanë udhëzime se çka me siguruar. Goxha jemi duke hetuar në atë drejtim. Nuk mundemi ende me dal me ndonjë konstatim”, ka thënë ai përmes telefonit. Ai ka treguar se në cilësinë e dëshmitarëve deri me tani janë intervistuar dhjetëra dëshmitarë. “Kemi intervistuar shoqe, shokë dhe familjarë. Me duket edhe drejtori dhe disa profesorë”, tha kryeprokurori Shala. Kujtojmë se ngjarja e parë ndodhi më 8 maj në Prizren, kur viktima 16 vjeçe u hodh nga kati i pestë i një ndërtese. Pak javë më vonë, më 25 maj, nga kati i shtatë i një tjetër ndërtese u hodh edhe shoqja e saj e ngushtë.

Viktima e parë kishte vizatuar në bankë një dorë e më pas e kishte kryer aktin. Pak ditë më vonë, një dorë tjetër ishte vizatuar nga viktima tjetër, e cila pasi kishte përfunduar mësimin kishte vrapuar drejt ndërtesës nga e cila dhe u hodh. Ndërkohë, një tjetër nxënëse e kësaj shkolle ka përfunduar në psikiatri. Nga ana tjetër, banorët në Prizren kanë thënë për T7, se në qytetin e tyre janë duke funksionuar disa banda kriminale që po i shantazhojnë të rinjtë në këmbim të parave. Por, dyshime të tjera ka hedhur në dritë një aktiviste e shoqërisë civile. Lyde Malsori, në një reagim të saj pas dy tragjedive, ka përmendur një ekskursion të nxënësve të shkollës së Mesme të Mjekisë “Luciano Motroni” në Prizren.

“Video të ndryshme qarkullojnë mes nxënësve ku dyshohet të jenë edhe profesorët të përfshirë!!!”, thotë ajo për ekskursionin, por pa treguar përmbajtën e tyre. “ÇFARË KA NDODHË NË ATË EKSKURZION??? ASKUSH NUK MERRET ME KËTË TRAGJEDI!!! As ne jo????!!! Edhe sikur të jenë vetëvrasje të lira(çfarë dyshoj fortë), policia e Kosovës duhet ta sqaroj këto raste deri në detajin e fundit, pa lënë dyshimin më të vogël!!!”, ka shkruar Malësori në ‘Facebook’. Pavarësisht këtyre reagimeve, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit ka hedhur poshtë pretendimet se çfarë mund të ketë ndodhur në ekskursion. “Nuk ka diçka të tillë. Po ka edhe spekulime. Por deri me tani nuk kemi gjetur diçka. Porse gjitha drejtimet janë duke u hetuar”, tha Admir Shala.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne