Miti i Edi Ramës si ‘njeri i ditur’ dhe e vërteta vulgare

Fitim Zekthi

Për vite me radhë, në Shqipëri ka patur një përpjekje të gjerë për të shfaqur Edi Ramën si një njeri të kulturuar, artist i përkorë me shtrirje shumë më të gjerë se sa piktura, të ditur etj.  Kjo përpjekje e gjatë, gati 30 vjeçare, ka krijuar thuajse një mit mbi Edi Ramën si njeri i ditur. Shumica e arsyeve lidhen me pushtetin. Vetë Rama është përpjekjur të shfaqet i tillë, i ndihmuar nga një grup njerëzish në media, por edhe në fusha të tjera, në mënyrë që ta përdorë këtë profil për të patur sukses në politikë. Kjo është e njohur thuajse kudo. Arsye të tjera kanë elementë psikologjikë. Njerëz të ndryshëm, për shkak të inferioritetit, dashurisë, frustracioneve, fiksioneve etj., e kanë parë Ramën si një njeri me kulturë dhe dije të rrallë dhe, për shkak të aksesit të tyre në shtyp apo në entitete të tjera ku “krijohet realitet”, kanë ndihuar në krijimin e kjëtij miti. Edhe kjo është e kuptueshme.  E pakuptueshme është paaftësia e medias, e botës universitare dhe elitës kulturore për të thënë të vërtetën mbi këtë mit

Për të disatën herë kryministri Edi Rama u shfaq duke sharë një qytetar në mënyrën më vulgare të mundshme. Ai i thotë atij  “çfarë kam vjedhur unë mor të q…  robt…” Ai vazhdon më pas ta kërcënojë dhe shajë. Fillimisht duhet thënë se kjo ngjarje do të shkaktonte tërmet nëse do t’i ndodhte Emanuel Macron-it, Angela Merkelit, Tereza May-it, Sebastian Kurtz-it apo Ciprasit, Erdoganit, Netanjahut etj. Te ne do të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur gjë. Më e shumta, Rama mund të thotë se u nxitua ose se përdori një gjuhë të papërshtatshme, por asgjë më shumë.

Pak ditë më pare, Rama, në një konferencë për shtyp, shantazhoi gazetaren Ambrozia Meta duke i thënë asaj se duhet të pyeste pronarët. Disa vite më parë Rama i tha një gazetareje që të shkonte të punonte në semafor. Kur një avokat i dërgoi një mesazh natën vonë  duke i thënë se “fama e Boletinit do të përfshinte Ramën” ai e shau me mesazhe dhe më pas urdhëroi Policinë ta arrestonin.

Jeta politike e Ramës është e mbushur me sjellje të tilla. Ajo nis me ulërimat në sheshin Skënderbej në vitin 2000 “ ooooo doktoooooor…” dhe vazhdon deri tek sharja  “… të q….robt”.  E gjithë kjo mënyrë të komunikuari me sharje dhe tallje ecën paralelisht me mënyrën se si kryeministri Rama dëshmon edhe dijet dhe kulturën e tij.

Ditën që u zhvillua protesta e parë “Hap kutitë ose largohu”, në vjeshtë të vitit 2009, krytari I opozitës në atë kohë, Edi Rama, e mbylli fjalimin duke thënë “një qeveri mund të mashtrojë një pjesë të popullit për të gjithë kohën, të gjithë popullin për një pjesë të kohës, por kurrë të gjithë popullin për të gjithë kohën”. Rama nuk tha se ku e kishte marrë këtë fjali. Ajo është një fjali monumentale e presidentit Abraham Lincoln në debatin me Douglas në Illinios në vitin 1858. Pra, Rama u hoq sikur ishte ai autori i asaj fjalie. Ish-zëvendës presidenti, Joe Biden, doli nga gara për President në vitin 1988 sepse përdori një metaforë të kryetarit të Partisë Laburiste, Mc Kinnock, dhe nuk e citoi. Sigurisht, Rama as ia ka idenë e debateve të Lincoln me Douglas dhe as ia ka idenë se ç’ka thënë Lincoln. Atij i ka pëlqyer citati dhe e ka përdorur si të tijin për t’u dukur i ditur.

Në vitin 2013, në shtator, kryeministri Rama mbajti një fjalim në parlamentin e Kosovës. Ai tha atje se “mes Kosovës dhe Shqipërisë do të kishte një kufi të padukshëm si ai për të cilin flet Lisa Hopkins”. Rama tregoi që nuk ia ka idenë fare se çfarë është Lisa Hopkins, çfarë është kufiri i saj i padukshëm. Lisa Hopkins është një studiese e Letërsisë dhe veçanërisht e Shekspirit. Ajo nuk  ka folur kurrë për kufij mes vendesh apo shtetesh. Ajo thotë se, në veprën e Shekspirit ka shumë liqene, zana, kodra me bar dhe pyje për shkak të folkut kelt. Ajo thotë se aty nuk kuptohet kufiri mes zanave, mes liqenit, qiellit, pyllit, kafshëve të ujit dhe të tokës etj. Dhe Rama e merr këtë, nuk dihet nga e ka gjetur, i duket e bukur dhe e përdor për të treguar se si do ta bëjë ai kufirin me Kosovën.

Kur u miratua buxheti i vitit 2014 në Parlament, kryeministri Rama i cili po mbronte paketën fiskale, ku futej taksa progresive, citoi Ludvig von Misses. Rama duket që nuk ia ka idenë se von Misses është filozofi dhe ekonomisti që ka themeluar shkollën e mendimit të taksave të ulëta, të kundërshtimit të ashpër të taksës progressive, dhe të një roli shumë të vogël të shtetit në ekonomi. Pra, ai citoi një ekonomist që është kundër asaj që ai po bënte si argument pro asaj që ai po bënte.

Në një emission, tek Ilva Tare disa vite më pare, Edi Rama tha “Kanti thotë një gjë shumë të bukur: kur e akuzon tjetrin për diçka pa fakte, në fakt e akuzon për atë që ti vetë do bëje në vendin e tij”. Rama tregoia se as ia ka idenë fare se ç’ka thënë Kanti, se cila është filozofia e tij etj. Rama thjesht e përmendi për të treguar se ai e njeh Filozofinë. Kanti është një nga filozofët më të thellë të historisë së mendimit, i njohur për kontribut të rrallë në trajtimin e koncepteve abstrakte me një gjuhë jashtëzakonisht të ndërlikuar. Por, për të kuptuar sa qesharake është ajo që tha Rama po themi që Kanti shprehej “se në një kuptim, nuk ka fakte në natyrë ose më mirë ka një pafundësi faktesh potenciale në natyrë, nga të cilat gjykimi zgjedh disa, të cilat bëhen vërtet fakte nga vetë akti i përzgjedhjes”. Kanti u përpoq të pajtojë racionalizmin me empirizmin dhe këtë e bëri duke zhvendosur fokusin nga objekti njohës te subjekti njohës, dhe kështu që nuk mund të thoshte kurrë atë fjali qesharake që tha Rama. Rama thjesht e sajoi për t’u dukur i ditur. Edhe studentët e vitit të parë e dinë që Kanti nuk e thotë atë gjë.

Dija dhe kultura e Ramës duket e formuar gjerësisht nga filmat dhe sidomos nga ata të Kinostudios. Ai citon shpesh filma, fjali apo detaje nga ata. Ai i tha një herë gazetarit Babaramo se në filmin …. “ku luan Sean Connery, ai i thotë filanit kështu…”. Në një rast tjetër, Rama debatoi me një gazetar për emrin e vërtetë të një aktori dhe për çfarë ai thoshte. Një herë tjetër, Rama i tha një gazetari tjetër në një intevistë se natën vonë shihte filma dhe ata e bënin të kuptonte më mirë botën. Në të vërtetë, filmat ose disa prej tyre janë të bukur dhe i japin njeriut kënaqësi, por ata nuk të bëjnë njeri me kulturë apo të ditur. Nga ata nuk mësohet as historia, as ekonomia, as politika, as filozofia, as sociologjia, as von Misses, as Kanti, as Lincolni etj.

Po të vëresh retorikën e Ramës ajo është e mbushur me batuta nga filmat e socrealizmit të Kinostudios. Ai nëpërmjet këtyre batutave njeh edhe historinë e Shqipërisë. Ai nuk e njeh historinë e Shqipërisë nga librat, nuk e njeh nga punimet e profesor Ferit Dukës, prof. Nevila Nikës, prof. Dritan Egros, prof. Muharrem Dezhgiut, prof. Kasem Biçokut, prof. Afrim Karagjozit etj. Ai nuk e njeh historinë e Shqipërisë nga punimet e Marin Sirdanit, Branko Merxhanit, Tajar Zavalanit, Vangjel Koçës, etj. Ai ka raste kur iu drejtohet deputetëve në Kuvend duke iu kujtuar detaje nga filmat e komunizmit si psh “ballistët që hanë pula, ose çingijet që prishin koncertin etj”. Në shumë raste ai përmend personazhe nga ata filma si Bamkë Qylollari, plaku Mere etj. Dikur ai tha Fatos Nanos “je bërë si Robert Çamkakizi”. Një herë përmend batuta të një persoanazhi të quajtur Pjetër Mustakuqi etj.

Pra tërë dija dhe kultura e Ramës rrotullohet te filmat e komunizmit dhe te batutat e tyre. Me anë të këtyre batutave, të cilat ai i di thuajse të gjitha përmendësh, ai ndërton narrativë apo sulmon kundërshtarët.

Për të kuptuar se sa sipërfaqësor është Rama në dije, dhe si e keqpërdor ai edhe atë që ai e quan fushën e tij, trashëgiminë kulturore, godinat e vjetra, historinë dhe vlerat e tyre, po përmendim çfarë tha Rama për arkitektin e madh Christopher Wren. Rama e mbajti fjalimin kur u dhanë çmimet qesharake ‘Bleta e Artë’ dhe kur i dorëzoi çmimin drejtoreshës së Tatimeve Brisejda Shehaj. Rama tha “në epitafin mbi varrin e arkitektit Christopher Wren, i cili dizenjoi një ndër katedralet më të njohura sot në botë, shkruhet: Në qoftë se jeni në kërkim të një monumenti shikoni rreth jush.” Christopher Wren është projektues i Katedrales së Shën Palit në Londër. Po në atë Katedrale ai edhe është varrosur.

Rama e shtrembëroi atë që është shkruar në varrin e Wren duke shkëputur vetëm diçka të vogël dhe duke e nxjerrë nga konteksti. I biri i arkitektit ka shkuar në varrin e babait: “Këtu në themelet e saj prehet arkitekti i kësaj kishe dhe i qytetit, Christopher Wren, i cili jetoi përtej të nëntëdhjetave, jo për fitimin e tij, por për të mirën publike. Lexues, nëse kërkon monumentin e tij, shiko përqark teje.”

Kuptimi i citatit, shkruar nga i biri, është i thjeshtë dhe direkt. Monumenti i Wrenit është vetë Katedralja që ai projektoi dhe ku u varros, ndaj njerëzve u kërkohet të shohin Katedralen, veprën monument të vetë krijimtarisë së Wrenit.

Por këtë citim Kryeministri Rama e zhvesh nga fjalia e parë,  dhe e përdor këtë si bazë për t’u thurur lavde biznesmenëve dhe burokratëve që ka në sallë. Hajde, lemeri hajde! Si mund të jetë i ditur dikush që lexon një copë citati nga epitafi i dikujt, i heq atij një pjesë dhe e shtrembëron pjesën tjetër duke e nxjerrë nga konteksti.

Pra, Rama nuk është thjesht njeriu me temperament të ndezur, por i ditur dhe i kulturuar, që në një moment iu hakërrye dikujt. Rama është një njeri i spërfaqshëm që ia ka dalë të shfaqet si ditur dhe i kulturuar në një mjedis të sunduar nga frustracione dhe mungesa e moralit të atyre që kontrollojnë mediat dhe jetën publike. Ky mjedis e bën atë të jetë ende Kryeministër. Kudo tjetër do kishte patur një fat krejt të ndryshëm./ politiko.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne