Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një prononcimi për marrëdhëniet me Turqinë, i bëri thirrje Presidentit Recep Tayyip Erdogan, për një qasje të përbashkët për të ndërmarrë hapa të guximshme.
Kyriakos Mitsotakis mbajti një fjalim në seancën plenare të Parlamentit grek, ku u diskutua programi i qeverisë së tij.
Duke u ndalur shkurt mbi marrëdhëniet e vendit të tij me Turqinë, shefi i ri i Athinës zyrtare tha se Greqia dëshiron të qëndrojë larg retorikës së furishme dhe të bëjë hapa përpara në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me bashkëpunimin miqësor.
“I bëj thirrje Presidentit Erdogan për një qasje të përbashkët, në kuadër të së cilës të ndërmarrim hapa të guximshme”, u shpreh ai.
“Ne jetojmë bashkë në këtë hapësirë gjeografike. Tensionet e panevojshme dhe gara për armatim u mohojnë të dyja vendeve burimet e tyre të çmuara. Këto mund të përdoren për të mirën e vendeve tona”, shtoi kryeministri grek.
Lideri i Partisë Demokracia e Re (ND), Kyriakos Mitsotakis, u betua si kryeministër i ri i Greqisë më datë 8 korrik, një ditë pasi forca politike e tij fitoi të drejtën për të qeverisur vetëm në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të këtij vendi.
Parlamenti grek, i cili filloi punimet të mërkurën e kaluar me ceremoninë e betimit të ministrave të rinj, pritet t’i japë votëbesimin kabinetit Mitsotakis pasi të përfundojnë diskutimet mbi programin e qeverisë.