Mogherini: Hapja e negociatave BE-Shqipëri, objektiv i arritshëm në qershor

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, realizoi të mërkurën në Tiranë një takim me kryediplomaten evropiane dhe njëherësh ndihmëspresidenten e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.

Në konferencën e përbashkët për mediat, mbajtur në selinë Kryeministrisë së Shqipërisë, ata u fokusuan në disa çështje të rëndësishme si procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, bashkëpunimi rajonal, zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe çështje të tjera.

Rama theksoi se gjatë takimit kanë diskutuar për Samitin e Berlinit, për sfidat e bashkëpunimit dhe ndërveprimit rajonal, si dhe për procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

“Folëm për tërësinë e reformave të ndërmarra, për pritmën tonë në vigjilje të daljes së raportit të progresit të Komisionit Evropian, si dhe për ecurinë e mëtejshme të të gjitha përpjekjeve në funksion të thellimit të reformave dhe transformimit të gjithë aspekteve të jetës së vendit. Nuk është sekret që ne presim vetëm një përgjigje nga Komisioni Evropian, pra përgjigjen se i kemi kryer plotësisht detyrat e shtëpisë dhe meritojmë çeljen e negociatave për anëtarësim”, tha Rama.

Ai theksoi se Shqipëria flet me gjuhën e rezultateve mbi të cilat, sipas tij, duhet edhe të gjykohet.

Ndërsa Mogherini, duke folur për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, u shpreh me këto fjalë: “Ne besojmë që partitë politike nuk duhet t’u kthejnë shpinën rolit të tyre në proceset demokratike dhe përgjegjësisë që kanë ndaj qytetarëve.”

Duke iu drejtuar Kryeministrit Rama, ajo tha: “Keni vazhduar të tregoni rezultate konkrete të angazhimit tuaj për reformat. Besoj se po kaloni tashmë në një proces të qenësishëm të reformës në drejtësi. Ajo që është arritur me reformën në drejtësi mbetet e paprecedentë jo vetëm në këtë rajon. Keni arritur të keni një reformë në sistemin e drejtësisë që do të ishte shembull edhe për disa nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.”

“Unë besoj që është një objektiv i arritshëm, pra çelja e negociatave në qershor, por nuk është e lehtë. Secili prej shteteve tona anëtare duhet që të bindet plotësisht. Besoj që kjo përpjekje e përbashkët kërkon që të gjitha palët të jenë të bashkuara për objektivin e integrimit evropian të Shqipërisë”, tha më tej Mogherini.

Shefja e diplomacisë evropiane shtoi se mendon që Marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë mund të jetë shembull për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rajon, por edhe më tej.

Ndërsa në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ajo tha: “Dialogu është i tyre, nuk na përket neve. Ne jo vetëm që respektojmë qëndrimet negociuese të secilës palë, por ne marrim shumë seriozisht edhe rolin tonë.”

Mogherini viziton Shqipërinë në kuadër të samitit të radhës të liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që do të mbahet të enjten në Tiranë. / AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne