Mogherini në Shkup: Mos heshtni më 30 shtator

Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, nga Shkupi dërgoi një apel për qyetarët e Maqedonisë të cilëve u tha se vota e tyre në referendumin e 30 shtatorit, është çelësi për në Bashkimin Evropian.

Komentet e saj, Mogherini i bëri në konferencën e përbashkët për media në Shkup, bashkë me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, pasi paraprakisht bashkë vizituan Çarshinë e vjetër, ku mes tjerash tha se qytetarët e vendit nuk duhet të heshtin para të ardhmes së tyre dhe të mos lëshojnë këtë shans që kanë para vetes.

Ajo tha se ndjehet e lumtur që ka shansin në Shkup të bisedojë për të ardhmen e përbashkët evropiane, ku Maqedonia ka vendin, ndërkohë që lavdëroi qeverinë për guximin dhe përgjegjësinë politike, për siç tha të tejkalojë veshtirësitë historike.

“Pikërisht ky guxim politik dhe kjo përgjegjësi politike kulmoi me një moment historik të cilin e përshëndeti e tërë Evropa që është arritja e marrëveshjes për emrin me Greqinë, që dëshmoi për forcën e diplomacisë dhe dialogut që po ndodhë në Evropën Juglindore”, theksoi Mogherini, duke shtuar se kjo marrëveshje është inspirim për rajonin.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, nga Çarshia e Shkupit dërgoi një mesazh për qytetarët e vendit.

“Mbani mend se kur të votoni më 30 shtator, në duart tuaja do të keni të ardhmen e vendit tuaj, është vetëm në duart tuaja dhe askush nuk mund ta bëjë këtë në vend tuajin. Ju nuk guxoni të lëshoni këtë rast dhe të qëndroni të heshtur para mundësisë se çfarë të ardhme dëshironi për vendin tuaj”, tha Mogherini për të shtuar se kjo nuk ka të bëjë me politikë dhe se qytetarët duhet të jenë të bindur se kur të zgjohen më 1 tetor të jenë të vetëdijshëm për vendimin që kanë marrë për të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre.

Kryeministri Zaev nga ana e tij theksoi se perspektiva për hyrje në BE, ka qenë motivi i cili i ka udhëhequr drejt përmbushjes së detyrimeve, pjesë e të cilave ka qenë edhe marrëveshja me Greqinë.

Ai tha se fjalimi i sotëm i tij në Parlamnetin Evropian në Strasburg, ka qenë fjalimi i parë i një kryeministri të Maqedonisë në gjuhën maqedonase, që flet për mbështetjen që ka vendi.

“Tani ne, qytetarët e Maqedonisë, duhet të dëshmojmë unitetin tonë në referendumin e 30 shtatorit, të sjellim një vendim për marrëveshjen, që do të jetë një vendim për të ardhmen tonë. Për ne, anëtarësimi në BE është faktori shtytës i cili bën bashkë të gjithë veprimtarët shoqërorë për të zbatuar me sukses reformat si dhe për të adresuar sfidat me të cilat përballemi gjatë rrugëtimit tonë”, tha Zaev.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Mogherini pritet të takojë edhe kreun e VMRO-DPMNE-së Hristian Mickovski dhe presidentin Gjorge Ivanov.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne