Mogherini: PKK-në nuk e shikojmë si ‘organizatë terroriste’

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini e ka pohuar që nuk e shikojnë si ‘organizatë terroriste’ organizatën separatiste terroriste PKK, e cila ka marrë me mijëra jetë njerëzish në Turqi.

Këto komente Mogherini i bëri në një konferencë për media pas takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së mbajtur të hënën në Luksemburg, ku ajo bëri sqarime mbi vendimet e marra ndaj Turqisë lidhur me Sirinë dhe aktivitetet e saj të shpimit (në kërkim të hidrokarbureve) në Mesdheun Lindor.

Në përgjigje të një pyetjeje se përse kishin arritur në këtë pikë marrëdhëniet Turqi-BE, Mogherini tha se BE-ja përherë është përpjekur të ndërtojë “ura konstruktive”, por një gjë e tillë nuk ka funksionuar gjithmonë.

“Marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe BE-së nuk përbëhen vetëm nga Siria dhe Mesdheu Lindor. Turqia është një alete shumë e rëndësishme dhe ekzistojnë shumë fusha ku ne mund të bashkëpunojmë”,- theksoi shefja e diplomacisë evropiane.

“Kemi kaluar periudha të vështira. Turqia ka kaluar periudha të vështira. Nuk duhet ta harrojmë kurrë tentativën për grushtshteti të 15 korrikut (2016). Nuk është një marrëdhënie që mund ta përcaktosh si bardhë e zi. Është një partneritet i ndërlikuar dhe shumëdimensional”,- shtoi Mogherini.

Në lidhje me pritshmëritë që kanë Turqia dhe BE-ja në raport me njëra-tjetrën Mogherini tha se në këtë drejtim duhet shfaqur një qëndrim i “qartë”. “Si fqinjë që ndajmë të njëjtën hapësirë gjeografike ne duhet të jemi të hapur ndaj njëri-tjetrit dhe të vetëdijshëm se ekzistojnë shumë interesa të përbashkëta, përfshi edhe sigurinë e rajonit”- shtoi diplomatja e BE-së.

Mogherini rikujtoi se mes Turqisë dhe BE-së ka edhe “mosmarrëveshje” dhe duke pohuar se BE-ja nuk e shikon si organizatë terroriste grupin që Turqia e pranon si organizatë terroriste ajo argumentoi se përpjekja e përbashkët duhet të fokusohet ndaj organizatave terroriste që janë njohur si të tilla nga Kombet e Bashkuara (OKB)./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne