Mogherini: Shqipëria e bëri punën e saj. Hahn: Negociatat, jo anëtarësim

Në konferencën e përbashkët me komisionerin e BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, përfaqësuesja e Lartë të BE, Federica Mogherini deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë progres lidhur me reformat e ndërmarra.

Për Shqipërinë, Mogherini veçoi reformën në drejtësi duke thënë se ka arritur rezultate mbresëlënëse. Ajo tha se ato e kanë bërë punën e tyre ndërsa tani mbetet radha e BE për të bërë punën e saj.

“Ne kemi qenë dëshmitarë të arritjeve dhe suksese që janë mbresëlënëse, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë treguar rezultate për reformat. Zbatim mbresëlënës i reformës në drejtësi, që ka sjellë rezultate të prekshme. Kam qenë së fundi në Tiranë për Samitin. Në bazë të një vlerësimi të rreptë dhe objektiv këtë vit për herë të dytë komisioni rekomandon çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ato kanë bërë pjesën e tyre të punës dhe tashmë është radha e BE-së të bëjë punën e tij. Topi ynë tani do të kalojë në Këshillin e Evropës. BE të japë ato merita aty ku ato ekzistojnë. Kur ne vlerësojmë meritat në mënyrë objektive, ato duhen njohur. Në të kundërt do të dëmtohet besueshmëria e BE-së, do të minohet stabiliteti dhe do të shkurajonin reformat e mëtejshme, ndoshta sjellin edhe një moment zhgënjimi në këto vende të rajonit, por edhe në BE dhe tek BE si institucion.”, u shpreh Mogherini.

Komisioneri Hahn vlerësoi arritjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por u kujdes të qetësonte vendet anëtarë të Bashkimit Europian kur shtoi se çelja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim i menjëhershëm.

“Nisja e negociatave do të zgjasë për disa vite, anëtarësimi i Kroacisë zgjati 8 vjet dhe nuk është realiste të besosh se do të ketë përjashtime”, tha Hahn në konferencë për shtyp, pas publikimit të progres-raportit për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Gjithashtu kjo është një garë, nuk është e thënë që të gjithë vendet të anëtarësohen bashkërisht, por njëri mund të futet para tjetrit”./ opinion

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne