Opinion

Moloku i dominimit amerikan ka hedhur sot vështrimin e tij në drejtim të Iranit

nga John Wight.

Prej agresionit në rrugë e sipër që neokonservatorët po zhvillojnë kundër Iranit kanë filluar të rrjedhin mashtrimet dhe gënjeshtrat. Është një nga shembujt më të zymtë të agresionit imperialist në vite. Fabrikimi i preteksteve për intimidim, agresion dhe sulm është vendimtar për aftësinë e një perandorie për të drejtuar dhe për të vendosur. Kështu është edhe sot kur bëhet fjalë për kërcënimet dhe veprimet gjithnjë e më shumë luftarake të Uashingtonit kundër Republikës Islamike të Iranit.

Në një aleancë të paskrupullt me Arabinë Saudite, Izraelin dhe me grupin e zakonshëm të vendeve satelite në Evropë, administrata e Trumpit që premtoi se do ti jepte fund luftrave të gjata, ka projektuar një rilindje neokonësh në Uashington. Të pakënaqur nga rënia në Venezuelë, administrata e tij po shkon pas Iranit me kënaqësinë e një qeni të tërbuar që nuk ka ngrënë për ditë me radhë.

Me urdhrin e John Boltonit dhe Mike Pompeos, dy prej neokonëve më të çmendur dhe më fanatikë që kanë ecur ndonjëherë mbi sipërfaqen e tokës, Trump ka marrë një trajektore që nëse nuk ndryshohet, së shpejti do ta hedhë atë dhe SHBA-në nga shkëmbi drejt e në ferr. Atje ai ka për tu bashkuar me Benjamin Netanyahun dhe Bin Salmanin, aleatët e tij të ngushtë në këtë mision të çmendurisë.

Uashingtoni nuk e ka falur asnjëherë Iranin për guximin e treguar në revolucionin popullor të vitit 1979 në hedhjen tutje të zgjedhës së mbretit, klientit të tij Mohammad Reza Pahlavit, i njohur ndryshe si Shahu. Dhe kurrë nuk ka ndenjur një ditë të vetme pa dëshirën për ta kthyer vendin në statusin e tij të mëparshëm të një neo-kolonie amerikane, që ti shërbejë mjeshtrit të tij perandorak dhe dominues.

Vendimi i Obamës për të hyrë në negociatat që çuan në Planin e Përbashkët të Veprimit (JCPOA) të vitit 2015, i njohur gjithashtu si Marrëveshja Bërthamore e Iranit, nuk ishte rezultat i ndonjë qëllimi dashamirës të presidentit amerikan të 44-rt. Përkundrazi, ishte një pranim i kufizimeve të forcës të SHBA-së në një rajon në të cilin ende nuk kishte arritur ta merrte veten pas humbjes poshtëruese në Irak përgjatë gjashtë viteve të gjata përpjekjesh të kota për të qetësuar një vend, njerëzit e të cilit, megjithëse ishin goditur fort nga 13 vitet e sanksioneve brutale, i rezistuan me të gjithë forcën dhe mendjen e tyre.

Rezultati që erdhi ishte një gjakderdhje sektare. Vendi rezultoi me një shoqëri të copëtuar, kurse ushtria amerikane ekspozohej si një gjigand me këmbë argjili.

Vendimi i Obamës për të negociuar JCPOA-n me Iranin në bashkëpunim me Rusinë, Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe dhe Kinën ishte gjithashtu një njohje e forcës dhe vendosmërisë së vazhdueshme të qeverisë iraniane dhe njerëzve të tij për t’i rezistuar të gjitha përpjekjeve për intimidim, luftëra dhe problemeve ekonomike.

Pavarësisht përpjekjeve për nënshtrim të Netanjahut të Izraelit dhe kleptokracisë saudite për nxitje të administratës së tij për konflikt të hapur me Teheranin, rezultati përfundimtar ishte një nga triumfet e pakta të Obamës për politikën e jashtme.

Edhe pse çdo president amerikan ndan të njëjtin objektiv në politikën e jashtme të dominimit si një prioritet themelor i zyrës, Trumpi nuk është si Obama. Përkundrazi, egoja e fryrë e presidentit të 45-të, është dëshmi e mendësisë së një personi të trashë, i cili ka provuar të jetë një suva në duart e ideologëve të përzgjedhur brenda dhe jashtë vendit.

Bolton dhe Pompeo janë burra që nuk kanë mësuar asgjë dhe që kanë harruar gjithçka. Ata nuk kanë mësuar asgjë nga Iraku, Libia, Afganistani, përveç disa mësimeve pavlerë, të mishëruara qartë në mantrën që na është ofruar nga Samuel Beckett: “Provoe! Dështove. Ska problem. Provoe përsëri! Dështove përsëri. Dështo më bukur.”

Irani është një komb i lashtë që i ka mbijetuar më shumë se kushdo tjetër gjatë historisë së tij periudhave të kataklizmave. Ai është një vend me 80 milion banorë, ku më shumë se gjysmë milioni janë të armatosur. Vendi posedon një arsenal të madh raketash me një potencial të konsiderueshëm. Më lejoni të theksoj se çdo përpjekje për të nisur një luftë kundër këtij vendi do të ishte një fitore si ajo e Piros.

Izraeli, i cili ende nuk ka arritur të shuajë frymën palestineze pavarësisht shtypjes së rëndë përgjatë viteve, pësoi në vitin 2006 humbjen e vetme ushtarake nga duart e lëvizjes libaneze të rezistencës, Hezbollahut. Hezbollahu është një aleat i rëndësishëm i Teheranit dhe ka një ushtri të stërvitur dhe të mirë motivuar, e cila në vetvete posedon një arsenal të konsiderueshëm raketash të afta për të arritur në çdo cep të Izraelit. Për sa i përket sauditëve, ata kanë një ushtri me figurina të veshura dhe të pajisura mirë, që armën më të fuqishme kanë lutjen.

Nuk dua që tju bëj për të qeshur dhe as që dua tju ofendoj, por qëllimin e kam që tju paralajmëroj për marrëzinë e shpërthimit të një lufte ndaj Iranit. Në vend të trimërisë, në kohën tonë rruga e shpëtimit është diplomacia. Kështu që Presidenti Trump të këshillohet dhe të zgjohet me faktin se armiqtë e tij të vërtetë janë brenda në shtëpi, në formën e John Boltonit dhe Mike Pompeos.

Irani tani nuk ka asnjë zgjidhje tjetër veçse të përgatitet për të mbrojtur veten me çdo mjet të mundshëm. Le të shpresojmë pra që pas kësaj aventure të keq konceptuar të Uashingtonit, rezultati për presidentin amerikan në vitet që vijnë të jetë refreni: “Zoti e bekoftë Amerikën” dhe jo “O Zot ndihmoje Amerikën”./rt/Gazeta Impakt

OPINIONE