“Mos e lidhni fenë me terrorin”, paralajmërojnë klerikët austriakë

Ndërsa racizmi dhe diskriminimi ndaj muslimanëve në Austri rritet, veçanërisht pas sulmit terrorist të 2 nëntorit, klerikët në vendin evropian paralajmërojnë autoritetet të mos e lidhin terrorizmin me asnjë fe.

Pas ndalimit të hixhabit dhe mbulesës së fytyrës, si dhe ndalimit të financimit të huaj të grupeve fetare, politikanët populistë kanë ngritur retorikën antiislame që kur një person i armatosur vrau katër persona në kryeqytetin Vjenë.

Kancelari i krahut të djathtë Sebastian Kurz njoftoi masa të reja, të cilat do ta bënin “Islamin politik” një vepër penale.

Peshkopi Bernhard Heitz beson se vetëm drejtësia mund të parandalojë terrorizmin dhe se ndjenjat antiislame do të ishin kundërproduktive.

“Përfaqësuesit muslimanë, ashtu si përfaqësuesit e feve të tjera, janë distancuar nga sulmet e fundit në Paris, Nice, Dresden dhe Vjenë … retorika e ekstremit të djathtë dhe tolerimi i ndjenjave antiislame do të ishin kundërproduktive”, tha ai për AA.

“Ideja e monitorimit të një grupi specifik të popullsisë, në këtë rast të popullatës muslimane të Austrisë, do të minonte besimin e ndërsjellë midis njerëzve, kohezionin social dhe paqen, dhe për këtë arsye do të ishte e papranueshme për të gjithë”.

Imami Ramazan Demir, i cili ka punuar me muslimanë të burgosur në gjithë Austrinë për shumë vite, tha se terrorizmi dhe dhuna nuk mund të shoqërohen me ndonjë fe apo grup etnik, duke theksuar se “aktet e dhunës të kryera në emër të Islamit” dëmtojnë kryesisht muslimanët.

“Ishte një musliman midis viktimave të sulmit terrorist në Vjenë. Terroristët nuk bëjnë asnjë dallim kur bëhet fjalë për vrasje”, tha ai.

Ai shtoi se mungesa e përcaktimit të konceptit të “Islamit politik”, është një shkak shqetësimi në mesin e mbi 500.000 njerëzve të komunitetit musliman në Austri.

“Ata janë të shqetësuar nëse të drejtat dhe liritë e tyre do të kufizohen”, tha Demir.

Kryerabini Schlomo Hofmeister tha se sulmi terrorist ishte një përpjekje për të dëmtuar vlera të tilla si toleranca, besimi dhe bashkëjetesa, duke paralajmëruar se konfuzioni mbi atë që përbën “Islamin politik” mund të çojë në diskriminim ndaj besimtarëve.

“Gjithkush kupton diçka ndryshe nga shprehja ‘Islami politik’ sepse nuk është përcaktuar”, tha ai.

“Së pari, termi duhet të shpjegohet …’Islami politik’ dhe Islami si fe duhet të dallohen qartë”, tha Hofmeister./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne