Rajoni Shqiperia

Mosbesimi Tiranë-Athinë ndryshon axhendën e Prillit

Prilli ishte parashikuar koha kur qeveritë e Shqipërisë dhe Greqisë do të përmbyllnin negociatat për nënshkrimin e partneritetit strategjik siç u lajmëruar nga Rama e Cipras pas takimit në Davos.

Por mesa duket jo gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve. Fillimisht ishte gazeta greke “Kathimerini” që lajmëroi shtyrjen e vizitës së kryeministrit grek në Korçë, ndërsa ardhja e ministrit të Jashtëm Kotzias këtë të enjte në Tiranë vulosi ndryshimin e axhendës. Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare nuk flitet për data dhe as për afate, por për vazhdimin e dialogut.
“Ministrat shqyrtuan progresin e shënuar prej takimit të Janarit të mbajtur në Korçë që është materializuar në një sërë zhvillimesh pozitive tashmë të bëra publike nga palët. Bushati dhe Kotzias u dakordësuan për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në muajt e ardhshëm në funksion të avancimit të procesit dhe gjetjes së zgjidhjeve të mirëpranuara për çështjet ende në diskutim”– theksohet në njoftim.
Bllokimi nga Ilir Meta për autorizimin e grupit negociator është një nga arsyet e vonesës sipas mediave greke, por edhe presioni që Ankaraja po ushtron ndaj Tiranës për refuzimin e njohjes së 12 miljeve det territorial.

Palët kanë avancuar me hapa respektivë për zgjidhjen e çështjeve që përfshihen në paketën e shtruar për diskutim dhe pas fillimit të gërmimeve për gjetjen e eshtrave të ushtarëve greke dhe njohjes së vulës apostile tashmë në axhendë janë heqja e ligjit të luftës nga Greqia dhe marrëveshja për Zonat Ekskluzive Ekonomike.

Vizita private e zotit Rama në rezistencën e presidentit Erdogan e ka bërë edhe më mosbesuese qeverinë greke ndaj Tiranës që i duhet të avancojë për të zgjidhur problemet me fqinjët si një nga kushtet për hapjen e negociatave.

OPINIONE