Moska e shqetësuar nga armatosja e Japonisë

Kreu i Komitetit Ndërkombëtar të Këshillit të Federatës Ruse paralajmëron se pajisja e Japonisë me armë amerikane për të luftuar Korenë e Veriut mund të çojë në luftë bërthamore.

Konstantin Kosachev, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit të Federatës Ruse, tha se pajisja e ushtrisë Japoneze me armë të SHBA që do t’i mundësonte Japonisë të shkatërrojë raketat e Koresë së Veriut mund të shkaktonte një luftë bërthamore. “Kjo çështje ka potencialin që të çojë në luftë bërthamore dhe Moska shpreson se Uashingtoni dhe Tokio do ta kuptojnë këtë dhe do të heqin dorë nga plane të tilla”, tha Kosachev. Japonia, sipas Donald Trump, mund t’i qëllojë raketat koreanoveriore në ajër me pajisjet ushtarake të blera prej Shteteve të Bashkuara. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për shtyp në Tokio, presidenti amerikan u shpreh se, kryeministri japonez Shinzo Abe duhet të marrë një sasi të madhe pajisjesh ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, gjë që do të sjellë sipas tij siguri për Japoninë dhe vende të reja pune për amerikanët. “Kur ta bëjë këtë blerje, ka për të goditur lart në ajër raketat e Penianit. Do ta shihni”, tha Trump. Abe u shfaq i hapur ndaj sugjerimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë e u pajtua me komentet e tij, se Japonisë i duhet t’i përforcojë aftësitë e saj mbrojtëse, ndërsa u kujdes të sqaronte se qeveria e vet gjithmonë blen armë nga Shtetet e Bashkuara. “Mbrojtja raketore është diçka që mbështetet te bashkëpunimi legjitim mes dy vendeve tona. Nëse do të jetë e nevojshme që të rrëzojmë një raketë, patjetër që do ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Abe. Nisur nga situata e vështirë me Korenë e Veriut, forcimi i mbrojtjes japoneze duhet realizuar – sipas kreut të ekzekutivit në Tokio, – si në nivel sasior, ashtu dhe në drejtim të cilësisë. Dy muaj më parë, Trump pati shkruar në “Twitter” se do t’u lejonte, si Japonisë, ashtu edhe Koresë së Jugut blerjen e armatimave tejet të sofistikuara nga Amerika. Japonia nuk ka një ushtri profesionale, por e detyruar nga Kushtetuta e saj e pasluftës mbështetet vetëm në një të ashtuquajtur “forcë të vetëmbrojtjes”, gjë të cilën Abe synon ta ndryshojë./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne