MPB e Kosovës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me EUROPOL-in

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës sot ka nënshkruar marrëveshje me Organizatën Evropiane të Policisë (EUROPOL) për bashkëpunim në luftën kundër krimeve të rënda.

Në këtë ceremoni morën pjesë Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së, Rashit Qalaj, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës si dhe të ftuar tjerë nga institucione vendore e ndërkombëtare.

Me këtë rast ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu gjatë nënshkrimit theksoi se sot është një ditë tejet me rëndësi për Republikën e Kosovës dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, veçanërisht Policinë e Kosovës, marrë parasysh se me nënshkrimin e marrëveshjes me EUROPOL-in, kemi forcuar dhe avancuar kapacitetet tona në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar ndërkombëtar, terrorizmit dhe formave të tjera të krimit të rëndë, njoftojnë nga MPB e Kosovës.

Ai tha se deri më tani shkëmbimi i informacioneve me EUROPOL-in është kryer përmes “Deskut Suedez” në kuadër të EULEX-it, e që ka krijuar vonesa në shkëmbimin e informatave dhe kryerjen e operacioneve policore.

Ministri Veliu vuri në dukje se përmes kësaj marrëveshjeje, Policia e Kosovës do të trajtohet në mënyrë të barabartë, ashtu si policitë e shteteve të rajonit, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje të tilla.

Njëkohësisht, pritet që shumë shpejtë të dërgohet zyrtari ndërlidhës nga Policia e Kosovës në selinë qendrore të EUROPOL-it në Hagë.

Ministri Veliu falënderoi Apostolova-n dhe përmes saj, EUROPOL dhe të gjitha strukturat tjera të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare për mbështetjen në përmbylljen e këtij procesi mjaft të rëndësishëm, i cili forcon më tutje kriteret tashmë të plotësuara të liberalizimit të vizave si dhe obligimet që burojnë nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim.

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova përgëzoi autoritetet e zbatimit të ligjit të Kosovës dhe EUROPOL-in për këtë arritje të jashtëzakonshme.

Ndërkaq, drejtori Qalaj theksoi se e veçanta e kësaj marrëveshjeje është hapja rrugë e qasjes së Policisë së Kosovës në Kanalin e Sigurtë të Komunikimit (i ashtuquajturi SIENA Channel) të EUROPOL-it.

Me këtë marrëveshje Kosova barazohet me shtetet tjera jo-anëtare në BE./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne