MPJ turke dënon Dhomën e Përfaqësuesve të Holandës, njohu ngjarjet e 1915-s si “gjenocid”

Turqia ka dënuar me forcë vendimin e dhomës së ulët të Parlamentit holandez për të njohur ngjarjet e 1915-s si “gjenocid”.

“Ne dënojmë fuqimisht Dhomën e Përfaqësuesve të Holandës për vendimin e saj që njeh ngjarjet e vitit 1915 si gjenocid. Vendimet e pabaza të Dhomës së Përfaqësuesve të një vendi që lejoi gjenocidin në Srebrenicë (1995), një dhimbje ende e pashuar në mes të Evropës, nuk kanë vend as në histori dhe as në drejtësi. Prandaj ky vendim nuk ka aspak fuqi imponuese dhe aspak vlefshmëri ligjore”, thuhet në një komunikatë me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, publikuar mbrëmjen e së enjtes.

Pasi thekson se pozicioni i Turqisë rreth ngjarjeve të vitit 1915 bazohet në fakte historike dhe norma ligjore, deklarata e MPJ turke vijon me këto fjalë: “Opinioni ligjor i vendosur në të drejtën evropiane dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut na japin të drejtë për këtë çështje.”

Megjithatë – shton MPJ turke – ne marrim parasysh deklaratat e qeverisë holandeze se “nuk do të ndjekë Dhomën e Përfaqësuesve në vlerësimin e saj për njohur ngjarjet e vitit 1915 si gjenocid” dhe se “përfaqësimi në një ceremoni përkujtimore në Erevan nuk do të nënkuptonte njohjen e ngjarjeve si gjenocid”.

Adoptuar në Dhomën e Përfaqësuesve të Holandës me 142 vota pro dhe 3 kundër, propozimi në fjalë u votua kundër vetëm nga Partia Denk e themeluar nga turqit.

Në një prononcim rreth njohjes si “gjenocid” të pretendimeve armene në lidhje me ngjarjet e vitit 1915, lideri i Partisë Denk, Tunahan Kuzu, deklaroi se “zgjedhjet lokale po afrohen dhe këtë çështje do ta përdorin si mjet elektoral”.

Vendimi i Dhomës së Përfaqësuesve të Holandës bie ndesh gjithashtu me protokollin qeveritar të vendit, sipas së cilit “njohja e gjenocideve duhet të bazohet në vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe konkluzionet e qarta, të pakontestueshme të hulumtimeve dhe gjetjeve shkencore të Kombeve të Bashkuara”.

Ky vendim nuk ka fuqi imponuese as për qeverinë holandeze, e cila vepron në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më datë 9 dhjetor 1948 (rezoluta nr. 260)./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne