MPJ turke: Izraeli duhet të mbajë përgjegjësi për krimet në Palestinë

Turqia ka mbështetur përpjekjet e kryeprokurores të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) për të filluar një hetim kundër Izraelit, duke thënë se Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për krimet e kryera në Palestinë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy, në një deklaratë me shkrim, iu referua deklaratës së djeshme nga kryeprokurorja e GJNP-së, Fatou Bensouda, e cila tha se dëshiron të fillojë një hetim ndaj Izraelit për krime lufte.

Duke rikujtuar se Bensouda kishte theksuar se ajo ishte e bindur se ekzistonin “baza të arsyeshme” për vazhdimin e hetimit, Aksoy potencoi:

“Është e domosdoshme që Izraeli të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera në Palestinë dhe për shkeljet e të drejtave të njeriut. Është gjithashtu e nevojshme t’u sigurohet palestinezëve mbrojtje ndërkombëtare dhe t’u jepet fund padrejtësive disadekadëshe në Palestinë”.

Në të kundërtën, tha Aksoy, Izraeli do të vazhdojë t’i kryejë këto krime me ndjenjën e imunitetit kriminal që buron nga mbështetja e pakushtëzuar e vendeve të treta.

Aksoy theksoi se Turqia, në këtë drejtim, mbështet përpjekjet e GJNP-së për fillimin e hetimeve dhe i bën thirrje gjithë komunitetit ndërkombëtar të mbështesë hapat në këtë drejtim.

Më 16 janar 2015, Gjykata Ndërkombëtare Penale vendosi të fillojë një hetim paraprak me akuza për krime lufte të kryera nga Izraeli.

Gjatë procesit gjyqësor, personat për të cilët është dhënë urdhër ose fletarrestim mund të arrestohen në rast se ata udhëtojnë në një shtet anëtar të GJNP-së.

Prokuroria e GJNP-së ka lëshuar një raport për vitin 2019 që përfshin nëntë vende. Bensouda tha në raport se ajo besonte se ishte koha për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të përfunduar hetimin paraprak të nisur pesë vjet më parë mbi krimet e luftës të Izraelit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne