Bota

MPJ turke: Pala grekoqipriote duhet të bëjë një ndryshim esencial të mendësisë

Turqia pret një ndryshim esencial të mendësisë nga pala grekoqipriote në negociatat e Qipros.

Zëdhënësi i Ministrisë turke të Punëve të Jashtme, Hami Aksoy, iu përgjigj të enjten interesit të gazetarëve gjatë konferencës së përditshme për shtyp.

I pyetur rreth një komenti të Presidentit të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Mustafa Akinci, në lidhje me kornizën e propozuar nga sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, për bisedimet në Qipro, Aksoy u përgjigj me këto fjalë: “Bëhet fjalë për një proces negociatash që vijon prej 50 vitesh, por që tashmë është kthyer në një rreth vicioz dhe nuk po shënohet dot progres. Në këtë proces, ne jemi përpjekur gjithnjë për të qenë konstruktivë dhe një hap përpara, mirëpo, fatkeqësisht, s’ka qenë e mundur të gjejmë një përfundim si pasojë e mentalitetit dhe qasjes tashmë të njohur të palës grekoqipriote.”

Ai shtoi se dëshiron të nënvizojë “atë çfarë nuk do të bëhet dhe jo çfarë do të bëhet” në këtë proces.

“Ne s’kemi ndërmend të luajmë të njëjtën lojë për sa kohë që në palën grekoqipriote nuk bëhet një ndryshim esencial i mendësisë. Është e pamundur të arrihet një zgjidhje federale me mentalitetin e grekoqipriotëve. Jemi të mendimit që tashmë duhet të provohet një rrugë e re”, deklaroi mes të tjerash zëdhënësi i MPJ turke./ trt