Mundësia e zgjedhjeve të reja në Britani

Në fillim të muajit maj askush nuk e besonte se gara në zgjedhjet e parakohshme në Britani do të përfundonte kaq e ngushtë, ndërkohë që disa flisnin paradoksalisht për fitore plebishitare.

Kryeministrja britanike priste të dilte më e fortë dhe solide nga zgjedhjet, por me sa duket i kishte bërë hesapet gabim. Kryeministrja britanike Theresa May e filloi fushatën si një proces presidencial, por autogoli me politikat e kujdesit social dhe tërheqjet prej tyre, shto këtu edhe sulmet terroriste në Manchester dhe Londër, duket se e kanë tronditur pozitën e saj. May kërkonte që këto zgjedhje të ishin “zgjedhjet për ‘Brexit’-in dhe negociatat për të me BE-në”, por tema kryesore mbetet ajo e sigurisë kombëtare dhe tentativa stërmunduese e saj për të mbrojtur politikat e qeverisë në luftën kundër terrorizmit. Britania e Madhe është mjaft e përçarë. Këtë e dëshmuan edhe këto zgjedhje: veriu me jugun, qyteti me fshatin, të rinjtë me të vjetrit, përkrahësit e Brexit-it dhe të Evropës. Ata vendosin se për kë do të votojnë sipas kritereve të tyre dhe besnikëritë e vjetra, traditat rajonale dhe lidhjet sociale në politikën britanike kanë marrë fund. Problemi është se sistemi britanik nuk është i krijuar për këtë gjendje politike. Në vende të tjera në raste të tilla mund të krijohen koalicione – kurse në Britaninë e Madhe një parlament pa shumicë absolute është një qorrsokak. Konservatorët mund të krijojnë fillimisht një qeveri pakice, meqë janë partia me më e fortë në parlament. Po sa e forcë në marrjen e vendimeve mund të jetë ajo në bisedimet për Brexit-in? Fillimi i bisedimeve do të shtyhet deri sa të jetë krijuar një qeveri e re. Kjo duket se është katastrofa më e madhe politike për konservatorët. Pasi kryeministrja britanike Theresa May e humbi shumicën parlamentare në zgjedhjet e fundit parlamentare, çka ka krijuar vështirësi për formimin e qeverisë së re britanike, kreu i laburistëve u shpreh i gatshëm për një përballje tjetër me konservatorët. “Laburistët janë të gatshëm për të zhvilluar zgjedhje të reja dhe për të mposhtur sërish konservatorët”-deklaroi Jeremy Corbyn, kryetar i Partisë Laburiste.

Nga ana tjetër, Vetëm 38% e votuesve britanikë kërkojnë qëndrimin e Theresa May në krye të ekzekutivit, ndërsa numri i zgjedhësve që ngrenë zërin për largimin e saj është më i madh, 49%. Problemet, megjithatë, kryeministrja britanike nuk i ka vetëm me opinionin publik. Zërat kundër saj janë të fortë edhe brenda vet partisë konservatore. Boris Johnson, citohet nga shtypi vendas të pohojë se janë shtuar përpjekjet për vendosjen e tij në krye të qeverisë. “Na duhet Boris”, mësohet të ketë thënë ai. “Na duhet një njeri i Brexit-it, dikush që mund të flasë e të lidhet me njerëzit, ashtu siç bën Jeremy Corbyn. Dikush që ta bëjë Britaninë të besojë sërish te vetja”. Megjithatë, mbështetësit e Johnsonit tregohen të kujdesshëm të sqarojnë se ai nuk do të ndërmarrë asnjë veprim, për sa kohë May vazhdon të qëndrojë në “Downing Street”. Por fakti që aleatët e tij janë vënë në lëvizje mund të konsiderohet destabilizues. Fjalët e një përpjekjeje lidershipi të Johnsonit nisën të qarkullojnë pas goditjes që May mori nga dorëheqja e dy këshilltarëve të “Downing Street”, të fajësuar për disfatën në zgjedhje, si dhe sondazhi i së dielës, i cili tregoi se gjysma e votuesve nuk e duan më në drejtimin e qeverisë. May duket e vendosur të qeverisë, edhe pse e ka humbur shumicën parlamentare, por kjo nuk ka për të qenë e lehtë. Së pari ajo nuk ka më një mandat të fortë. Si koalicioni, ashtu edhe qeveria e pakicës që kërkon të krijojë me unionistët janë të pazakonta në Britaninë e Madhe./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne