Muslimanët kanadezë protestojnë kundër qëndrimeve antiislame të Francës dhe Macronit

Mbrëmë para Konsullatës së Përgjithshme të Francës në Toronto të Kanadasë u organizua protestë kundër deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron kundër Islamit dhe publikimit të karikaturave fyese të Profetit Muhamed nga revista Charlie Hebdo.

Demonstrata, gjatë së cilës policia mori masa të rrepta, u zhvillua me një thirrje të nisur në mediat sociale në fillim të javës.

Në protestë morën pjesë rreth një mijë njerëz. Protesta u organizua në heshtje, përveç gjatë tekbireve të rastit.

Demonstruesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Profeti ynë është nderi ynë”, “Stop terrorizimit ndaj muslimanëve”, “Respekt për besimet”, “Ne i duam të gjithë profetët” dhe “Respekt për profetin tonë”.

Në një tavolinë të vendosur në hyrje të zonës së protestës, u shpërndanë trëndafila dhe lule për kalimtarët dhe u dhuruan broshura në anglisht, përmes të cilave u shpjegua Kurani dhe Islami.

Nga ana tjetër, disa protestues, duke folur para kamerave të AA-së, falënderuan kryeministrin kanadez Justin Trudeau për deklaratën e bërë pas sulmit në kishën në Nice të Francës.

Trudeau deklaroi pas sulmit në Nice se “Kriminelët, terroristët, vrasësit gjakftohtë që kryen këto sulme nuk përfaqësojnë Islamin”.

Protesta në Toronto përfundoi pa incidente./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne