Muslimanët në Korenë e Jugut nga 6 maji do të rihapin xhamitë

Muslimanët në Korenë e Jugut kanë vendosur të rihapin xhamitë nga e mërkura, pasi vendi për ditën e tretë me radhë nuk raportoi asnjë rast të transmetuar lokalisht të koronavirusit të ri (COVID-19).

Me besimin për tejkalimin e pandemisë COVID-19, muslimanët në Korenë e Jugut sot njoftuan se do të rihapin xhamitë për besimtarët muslimanë.

Federata Muslimane e Koresë me qendër në Seul tha se xhamitë do të hapen për lutjet e të premtes me xhematin dhe namazin e taravisë.

Megjithatë, federata u kërkoi muslimanëve të vendit që të ndjekin masat qeveritare kundër COVID-19 dhe të ruajnë një distancë prej një metrash gjatë lutjeve.

“Të gjithë muslimanët duhet të ndjekin të gjitha kushtet që mund të parandalojnë përhapjen e COVID-19”, tha federata në njoftim.

Pas shpërthimit të pandemisë, qeveria u kërkoi bashkësive fetare të reduktojnë grumbullimin për të ndihmuar frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Qeveria po ashtu ka vendosur që gradualisht të fillojë hapjen e shkollave nga java e ardhshme.

Qendrat e Koresë për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në vend u rrit në 10.801, pasi tetë raste të tjera të importuara të koronavirusit u raportuan së fundmi.

Dy pacientë të tjerë vdiqën nga ky virus, duke e rritur numrin në 252.

Rreth 9.217 pacientë paraprakisht pozitiv ndaj koronavirusit janë shëruar, shifër e cila përbën 85 për qind të numrit të përgijthshëm të personave të infektuar në vend. Koreja e Jugut ka kryer 633.921 teste që nga 3 janari./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne