Mustafa Çeriç, letër të hapur ministrit të Jashtëm austriak: përse duhesh shpallur “non grata”

Në vazhdën e reagimeve ndaj kreut të diplomacisë austriake, Sebastian Kurz, i cili ka deklaruar së fundi se gratë në Sarajevë e Prishtinë paguhen për t’u mbuluar, është dhe ish-Myftiu i Bosnjes, Mustafa Çeriç, i cili me anë të një letre të hapur i kërkon atij që të tërhiqet nga ajo çfarë ka deklaruar, më saktë shpifja sipas tij, dhe t’i kërkojë falje popullit të Bosnjes për këtë.

Ndër të tjera, Ceriç, i cili është dhe një person me staturë të lartë publike për politikën dhe shoqërinë boshnjake, i kujton ministrit Kurz se ai mund dhe duhet të shpallet person “non grata” nëse vijon me këto qëndrime

*shkruan Dr. Mustafa Çeriç*

Valentin Inzko është një shtetas austriak me prejardhje sllovene, i cili aktualisht mban postin e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë. Ky është, tani për tani, funksioni më i rëndësishëm për ruajtjen e unitetit kombëtar dhe sovranitetit të shtetit boshnjak, pas agresionit serbo-malazez dhe gjenocidit serb kundër boshnjakëve në fund të shekullit të kaluar dhe pas betimit universal “Never again” – Kurrë më! – që u tradhtua në Bosnje.

Valentin Inzko kryesisht është i kritikuar nga të gjithë në Bosnjë, qoftë për shkak se ai nuk e kryen, ose për shkak se ai e kryen punën e tij. Unë sot kam një arsye, ose më mirë të them, ka një shkas që sot të falendëroj Inzkon, për shkak të punës që ai po bën. Në të vërtetë, Inzko vazhdimisht shkruan raporte për punëdhënësin e tij (OKB-në) objektivisht dhe me nder, lidhur me gjendjen në Bosjne.

Në çdo raport, Inzko ka identifikuar saktësisht se kush e rrënon dhe kush e pengon shtetin boshnjak që sa më shpejt dhe në mënyrë sa më efikasite të lëvizë drejt integrimeve euroatlantike. Për punën e tij, Inzko meriton mirënjohje dhe falenderim. Për fat të keq, raportet e Inzko-s nuk i lexon askush në Bosjne.

Ata që Inzko i kritikon dhe i identifikon si fajtorë për problemet e boshnjakëve nuk i lexojnë, ose i lexojnë, por heshtin, e ata që duhet t’i mbajnë mend dhe të përsërisin çdo fjalë nga raportet e Inzko-s të cilat afirmojnë shtetin boshnjak, janë neglizhentë dhe këta janë kryesisht boshnjakët, të cilët zakonisht presin që dikush tjetër t’ua kryejë detyrat e shtëpisë.

Fakti që intelektualët boshnjakë dhe eurofil, nëse ka të tillë, janë të papërgjegjshëm, kjo nuk është ndonjë çudi e madhe. Me këtë jemi mësuar. Intelektualët boshnjakë, nëse ka të tillë, janë të obsesionuar me çështjet e parëndësishme të politikës ditore. Ata shkruajnë letra të kota për çështje që nuk u takojnë atyre dhe heshtin për çështjet që u takojnë atyre, si rasti kur një grua muslimane u sulmua në Kreshevë vetëm pse ishte e mbuluar.
Valentin Inzko dhe Sebastian Kurz

Por, ne pyesim veten dhe habitemi se si vallë është e mundur që ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz të mos lexojë raportet e bashkatdhetarit dhe kolegut të tij Valentin Inzko. Në vend të kësaj, ministri i Austrisë së lashtë Sebastian Kurz, një vend mik, dëgjon politikanët serbë, të cilët e mbushin atë me urrejtje ndaj Islamit dhe boshnjakët. A është i vetëdijshëm ministri i Austrisë së lashtë, Sebastian Kurz, se çfarë dëmi po i shkakton miqësisë mes Bosnjes dhe Austrisë? Nëse është i vetëdijshëm, atëherë ai urgjentisht duhet të japë dorëheqje nga qeveria austriake dhe të kërkojë falje para popullit austriak për sjelljen e papërgjegjshme të tij.

Nëse, megjithatë, nuk është i vetëdijshëm se sa dhe çfarë dëmi ka shkaktuar me deklaratën e tij në lidhje me mbulimin e grave muslimane në Sarajevë, atëherë ne në Bosnje jemi të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm që të kërkojmë nga ministri Sebastian Kurz që t’i kërkojë urgjentisht falje Bosnjes për shpifje ofenduese.

Nëse Ministri Kurz refuzon të kërkojë falje, atëherë ne kërkojmë nga shteti i Bosnjes që të nisë procedurat për ta shpallur ministrin e Jashtëm austriak Sebastian Kurz person i padëshiruar – “non grata” – për shkak se ai nuk i ka kryer detyrat e shtëpisë, e që janë raportet zyrtare të bashkatdhetarit të tij Valentin Inzko, ku atij i shpjegohet qartë se kush e çfarë bën në Bosnje, i shpjegohet se kush paguan që dikush të zhvishet, e dikush të vishet.

Gjithsesi, do të ishte e dobishme që ministri Kurz, i cili nga Vjena akuzon Bosnjën se nuk qenka në vijën e Islamit të vërtetë, të na tregojë se kush po paguaka mbulimin e grave muslimane? Ajo çfarë ministri austriak i Punëve të Jashtme, Sebastian Kurz flet për Bosnjen nuk i bën nder politikës austriake, as nuk i bën nder popullit të Austrisë, të cilin ne në Bosnje e respektojmë dhe e vlerësojmë.

Ministri Sebastian Kurz duhet të dijë se nuk i frikësohemi askujt tjetër pos Zotit, dhe se kryqëzatat kundër Bosnjes kanë mbaruar me dështim. Gjithashtu, ministri Kurz duhet të dijë se islamofobia është vetëm ana e kundërt e anti-semitizmit. Këto dy të këqija që po sillen rrotull botës sot, janë një kërcënim për ndërgjegjen e njerëzimit. Dhe së fundi, në qoftë se ministri Kurz nuk e ka të qartë se çfarë i kam thënë atij, përsëri e ftoj që të lexojë raportet e kolegut të tij Valentin Inzko. Atje i gjen të gjitha.

Të lumtë Inzko!

Të falemnderit!

*Dr. Mustafa Çeriq ka shërbyer si Myfti i Bosnjes dhe aktualisht është kryetar i Kongresit Botëror të Boshnjak./ tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne