Mustafa iku nga Kurti, pranon koalicionin me Haradinajn e Limajn

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie ka votuar që, duke ndjekur procedurat kushtetuese, të bëhen përpjekje për formimin e Qeverisë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe komunitetet.

Në komunikatën e LDK-së, të nënshkruar nga kryetari Isa Mustafa është  ka konstatuar se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese, për formimin e Qeverisë.

Komunikata e plotë:

“Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,

Ju falënderoj për shprehjen e qëndrimit tuaj në letrën që ua përcolla më dt. 12 prill dhe plotësimin e saj më 13 prill 2020.

Kam nderin tu njoftoj se deri në përfundim të afatit të shprehjes së qëndrimit tuaj, sot më 14 prill 2020 në ora 16:00, në pyetjen e shtruar: A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe komunitetet, nga 124 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 114 anëtarë të KP, prej tyre 108 janë shprehur për (po), 6 janë shprehur kundër (jo) dhe 10 nuk janë përgjigjur.

Në bazë të kësaj, si Kryetar i LDK-së konstatoj se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese, për formimin e Qeverisë në një koalicion të mundshëm me AAK, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Me respekt,
Kryetari i LDK-së
Isa Mustafa”, thuhet në komunikatë./mesazhi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne