Mustafa këmbëngul tek posti i presidentit: Duhet të ndahen pozitat, asnjë palë të mos dalë e superfuqishme

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa vijon të këmbëngulë tek posti i presidentit që të nënshkruhet marrëveshja me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti.

Në një deklaratë për mediat pas takimit me kryetarët e degëve, Mustafa tha se postet duhet të ndahen në një mënyrë të atillë që asnjë palë të mos dalë e superfuqishme. Ai theksoi se bisedimet kanë përpuar shumë, ndësa shtoi se nuk ka asnjë përplasje me Kurtin.

“Procesi i bisedimeve po vazhdon dhe nuk është i ngurtë, çdo ulje në tavolinë është mundësi për të gjetur zgjidhje të përbashkëta, ato zgjidhje është e vështirë që të zgjidhen nëse i ngurtësojnë para opinionit, kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që ne mos të dalim të japim deklarata që mos ta shpërfaqim një situatë që e kemi brenda, sepse gjithmonë bisedimet e kanë mospajtime edhe pajtime.

Ne jemi pajtuar në shumë gjëra, edhe në programin qeverisës, deri diku edhe në ndarje të përgjegjësive, kanë mbetur edhe disa cështje t’i diskutojmë edhe më tutje.

Nuk kemi ngrirje të qendrimeve sa i përket pozitave të caktuara, edhe cështja e presidentit mendojmë që është çështje parimore, dhe po ashtu është cështje e mirëbesimit ndërmjet nesh në mënyrë që edhe ndarja e pozitave të bëhet e tillë, që asnjë palë të mos dalë e superfuqishme nga ky koalicion, kjo është kërkesa e vetme, asnjë kërkesë apo formulë personale nuk ka, janë cështje që interesi i subjekteve ta barazojmë dhe të kemi përgjegjësi të barabartë”, deklaroi Isa Mustafa.

I pyeur nëse LDK ka një emër konkret për të propozuar për presidentin, Mustafa tha se ka ende kohë për këtë.

“Sa i përket presidentit, ne zgjedhjet nuk i kemi tani, po në fillim të vitit 2021 dhe kur i vjen koha organet e LDK-së do ta bëjnë publik emrin, emri nuk është problem, duhet të kemi vullnet dhe mirëbesim”, u shpreh Isa Mustafa./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne