Muxhahedinët iranianë kërcënim ekstra për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe fqinjëve tanë

Gjergj Thanasi

Strehimi i 3000 e kusur moxhahedinëve iranianë MEK në Shqipëri gjithnjë e më shumë po bëhet një burim shqetësimesh, telashesh e kokëcarjesh, jo vetëm përsa i përket rendit publik, por ndishta edhe përsa i përket rendit kushtetues.

Në shkrime të mëparshme kemi përshkruar në mënyrë të detajuar telashet, që i hap rendit publik i ashtuquajturi Kampi Ashraf 3 në Manzë, Durrës. Një zhvillim i ditëve të fundit ka mundësi, që të shkaktojë shqetësime edhe për rendin kushtetues në Shqipëri si edhe të krijojë probleme të mprehta edhe për fqinjët tanë anëtarë të NATO-së kryesisht Italia e më pak Mali i Zi.

RMSA-ja (Shërbimi i Emigracionit dhe Refugjatëve në Shqipëri ) nën ndikimin dhe presionin direkt të grupacionit (organizatës, kultit) të Madam Rajavi-t ka vendosur t’ua ndërpresë pagesën mujore si refugjatë të gjithë atyre personave, të cilët pas mbërritjes në Shqipëri kanë vendosur të braktisin rradhët e moxhahedinëve iranianë MEK të Madam Rajavi-t. Ndërprerja e kësaj pagese mujore në dukje një veprim i thjeshtë burokratiko fiskal rezulton shumë problematik. Këta refugjatë të mbërritur në Shqipëri në kuadrin e një marrëveshje ende sekrete midis Qeverisë së SHBA-së (ish sekretarit Kerry), Qeverisë së Shqipërisë (kryeministri Rama) dhe OKB-së të përfaqësuar nga UNHCR-ja, janë strehuar në Shqipëri thjesht si persona të mbrojtur për arsye humanitare. Ata nuk pajisen me dokumente refugjati si psh. Titre de Voyage (Titolo di Viaggio), për të udhëtuar jashtë Shqipërisë. Ata nuk kanë të drejtë të punësohen ligjërisht në Shqipëir, madje as të hapin një biznes, nëse i kanë fondet e nevojshme për këtë. Këta tre mijë e më shumë persona thjesht jetojnë në Shqipëri në sajë të fondeve të UNHCR-së si edhe fondeve mjaft të mëdha me origjinë të panjohur (blerja e tokës dhe ndërtimi i Kampit Ashraf 3), të cilat kanë hyrë e po hynë në Shqipëri në kundërshtim me legjislacionin, që rregullon luftën kundra pastrimti të parave në Shqipëri.

Në shkresën e lëshuar nga RMSA për z. Ali Shaghasemi (shikoni faksimilen në gjuhën angleze dhe farsi) theksohet se asistenca e përkohshme finaciare për zotërinë ndërpritet më 1 shtator 2018. Një shkresë e tillë u është dërguar të gjithë ish moxhahedinëve iranianë MEK, që kanë braktisur grupacionin, organizatën, kultin e Madam Rajavi-t. Deri tani janë rreth 400 persona, që kanë “dezertuar” nga rradhët e MEK-ut. Nuk dihet saktësisht as nga autoritetet shqiptare dhe as nga RMSA-ja sa prej tyre ndodhen ende në territorin shqiptar dhe sa janë larguar në mënyrë ilegale nga Shqipëria. Ndërprerja e një asistence të tillë do të thotë, që këta persona të mbeten absolutisht pa asnjë mjet jetese, sepse atyre nuk u lejohet punësimi legal në Shqipëri. Pas një ndërprerje të tillë atyre u duhet të jetojnë me paratë, që mund t’u dërgojën të afërmit në Iran apo në vende të tjera të huaja si edhe falë bamirësisë së shqiptarëve për tu dhënë një krodhe bukë falas.

Për cinikët e “Rilindjes” nuk ka fare problem, nëse ngordhin nga uria ca dhjetra apo 200-300 ish muxhahedinë të MEK-ut! Këtyre cinikëve kokë bosh u kujtojmë që para se të ngordhin urije këta iranianët, ka shuëm të ngjarë, që ata të mbijetojnë në Shqipëri duke vënë në punë  aftësitë speciale, që kanë mësuar në bashkëpunim me Mukhabaratin e Sadam Husejnit, në fushëbetejat rreth qytetit Mehran, në Qafën Chahar-Zabar, apo duke shtypur me tanke kryengritësit Shiitë, që iu përgjigjën apelit të gjeneralit Norman Shvarkops për të rrëmbyer armët kundra Reisit të Bagdatit. Nevoja ekstreme ekonomike, urija do t’ua errësojë sytë e do t’i detyrojë të ndërrmarrin veprime dhune, që me shumë, shumë vështirësi mund të përballohen nga ushtarët e Olta Xhackës apo policët e Geron Xhafës.

Më duket kuturisje në kufijtë e cmendurisë, që për t’i bërë qefin një gruaje delirante të pa Atdhe (apolide) si Madam Rajavi, t’u hiqet buka e gojës këtyre njerëzve të dëshpëruar, të cilët, ndonëse jo në moshë optimale për luftë, kanë 20-30 vjet, që luftojën apo stërviten për të luftuar. T’i detyrosh të tillë njerëz me uri për t’u kthyer te kampi thuajse burg në Manzë është jo thjesht një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, por një mendjelehtësi ulëritëse, e cila mund t’i shkaktojë qeverisë së Ramës telashe e rreziqe të paparashikuara. Dëshpërimi, buka e gojës mund të shërbejnë si katalizatorë për këta njerëz, që të bëjnë atë, për të cilën janë stërvitur, që kanë mjaft eksperiencë, që dinë ta bëjnë më mirë në jetën e tyre….. Ndonëse është temë për një artikull tjetër, modestisht do të doja t’i kujtoja kryeministrit Rama se cdo armik e kundërshtar i tij në opozitë apo breda rradhëve të PS-së do ta priste një rebelim dëshpërimi të këtyre ish moxhahedinëve hallexhinj, njëlloj sic e pritën cifutët në tregimet e Biblës “mananë” (bukën), që ua hodhi Perëndia nga qielli. Le të kujtohet pak kryeministri, sesi kauza e armëve kimike të Asadit i bëri bashkë të gjithë armiqtë e tij për ta detyruar të zbythej me turp nga marrëveshja e xhentëllmenëve me sekretarin e shtetit Kerry!

Këta ish moxhahedinë nuk janë telash vetëm për ne, por edhe për fqinjët tanë. Këta ish moxhahedinë të ndodhur në dilemën për ta nxjerrë bukën e gojës në Shqipëri me armë në dorë (armë, të cilat aq lehtë gjenden në Shqipëri) apo për t’ia mbathur për në vendet e BE-së, mund të zgjedhin alternativën e dytë. Shpresoj që diplomatët italianë në Tiranë ta kenë aq të zhvilluar imagjinatën, sa që të përfytyrojnë se cfarë rreziku potencial janë për Italinë nja 100 veteranë të tillë të luftrave rreth Gjirit Persik. Shtoji këtyre dhe rritjen me progresion gjeometrik të klandestinëve, refugjatëve dhe tek tuk edhe të disa “Foreign fighters” (luftëtarëve të huaj) të DAESH-it, që e përdorin Shqipëirnë si trampolinë për të shkuar nëItali, e në Evropë dhe rezultati total do të jetë një rrezik mjaft kërcënues për fqinjën, aleaten dhe miken tonë Italinë, pa harruar edhe kërcënimin ndaj Malit të Zi. Shpresojmë që RMSA-ja dhe kryeministri Edvin, të tërhiqen nga ky provokim i rrezikshëm me shtysë një femër megalomaniake si Madam Rajavi! Fundi i fundit, meqenëse i pranuam në Shqipëri këta MEK-sat, Shërbimi Social Shqiptar le t’i mbajë me bukë, me qëllim që të neutralizohet rreziku i shtjelluar më sipër!/ Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne