Myftiu i njohur i Pakistanit Muhamed Taki Usmani i mbijeton një sulmi me armë, dy roje i vriten

Një nga klerikët më të mëdhenj të Pakistanit, i cili hapi rrugën për konceptin e bankave islamike, i mbijetoi një tentative për vrasje nga disa persona të armatosur dhe të hypur nëpër motoçikleta. Në sulmin që ndodhi të premten në qytetin jugor të Karaçit u vranë dy roje dhe u plagos në gjendje kritike për jetën një tjetër klerik, njoftoi policia.

Sulmi në lagjen lindore të qytetit portual i njohur për dhunë erdhi kur kleriku Muhamed Taki Usmani, ish-gjyqtar i sheriatit në Gjykatën Supreme të vendit, ishte duke shkuar në një xhami për të drejtuar lutjet e së premtes.

“Allahu ka qenë i mëshirshëm, ai është i sigurt”, tha kreu i policisë së qytetit Amir Shaikh, duke e quajtur sulmin një komplot për të sabotuar paqen në Karaçi dhe në vend.

Myfti Usmani dhe kolegu i tij kleriku Maulana Amir Shahab, po udhëtonin në dy makina, kur të paktën katër sulmues të hipur në dy motoçikleta hapën zjarr dhe u larguan, tha policia.

“Ata përdorën armë të shumta”, tha për Reuters Raja Umar Khattab, një oficer policie i Departamentit të anti terrorit të provincës Sind.

Sulmuesit e ndoqën makinën e klerikut për një distancë dhe e mbikëqyrnin gjatë rrugës, shtoi ai.

“Maulana Amir Shahab është në gjendje kritike nga plagët në kokë të shkaktuara prej armëve të zjarrit,” tha për Reuters Dr Seemin Xhamali i Qendrës Mjekësore Pasuniversitare Jinnah, një spital aty pranë dhe shtoi se një person tjetër ishte sjellë i vdekur.

Makina në të cilën po udhëtonte Usmani shkoi në një spital tjetër, ndërsa rojet e tij u deklaruan të vdekur pas mbërritjes, tha policia.

Reuters nuk mundi dot të kontaktojë menjëherë me Usmanin për të kërkuar komente.

Krimi në Karaçi, nga vrasjet e shënjestruara deri tek grabitjet, ka rënë ndjeshëm pasi një fushate e fortë për frenimin e tij filloi në vitin 2013 e drejtuar nga forcat paramilitare Rangers të Pakistanit.

Si gjyqtar i Gjykatës Supreme të Sheriatit në Pakistan nga viti 1982 deri në vitin 2002, Usmani ka qene i specializuar në jurisprudencë dhe çështjet financiare të Islamit./yenisafak/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne