Myslimanët në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë falin namazin e Fitër Bajramit

Mijëra myslimanë në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë kanë falur sot namazin e Fitër Bajramit. Ata janë mbledhur së bashku në xhamitë në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, por edhe në qytete tjera të këtyre vendeve për të falur namazin e Fitër e Bajramit.

Nën përkujdesjen e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë, manifestimi qendror i faljes së namazit të Fitër Bajramit në këtë vend u mbajt në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup. Gjatë ceremonisë u këndua Kuran dhe ilahije para besimtarëve të shumtë të cilët mbushën edhe oborrin e xhamisë.

Namazi u drejtua nga kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, ndërsa Hytben e Bajramit, në emër të kreut të BFI-së, në gjuhën shqipe, maqedonase dhe turke e lexoi Adnan Jahja, nxënës i Medresesë “Isa Beu” në Shkup, i cili iu referua rëndësisë së muajit të Ramazanit.

“Në këtë muaj arriti mirësia e njerëzimit dhe drita, mbizotëroi mëshira dhe humaniteti, u krijua dashura dhe respekti, prandaj ky muaj gjithmonë duhet të festohet dhe të përjetohet me gjithë qenien tonë”, u theksua në mesazh.

Lutje lexoi edhe atasheu për çështje fetare në Ambasadën turke në Shkup, Murat Alkan.

Edhe në xhamitë tjera të Maqedonisë në prani të madhe të besimtarëve mysliman u fal namazi i Fitër Bajramit.

Besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë po ashtu kanë falur namazin e Fitër Bajramit.

Mijëra besimtarë janë mbledhur në manifestimin qendror në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, për të falur namazin e Bajramit, në përfundim të muajit të Ramazanit.

Namazi i Fitër Bajramit është falur edhe në xhamitë e tjera të vendit.

Me rastin e festës së Fitër Bajramit mesazhe urimi kanë ardhur nga politikanë dhe zyrtarë të lartë të vendit, të cilët kanë uruar besimtarët muslimanë

Nën organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, është mbajtur manifestimi qendror për faljen e namazit të Fitër Bajramit në xhaminë e Madhe – Sulltan Mehmet Fatih në Prishtinë, drejtuar nga sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi.

Hytben e Fitër Bajramit në xhaminë̈ e Madhe në Prishtinë e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili iu drejtua opinionit të gjerë me mesazh urimi për festën, ku theksoi se festa në thelb nënkupton kthim ku pas Ramazanit kthehemi me një personalitet tjetër, më të fuqishëm, më të kalitur dhe me më shumë vlera.

“Ju thërras të gjithëve popull dhe institucione që të marrim shkas festat tona fetare dhe kombëtare për t’u angazhuar për interesin shoqëror të vendit, për të mirën e përbashkët duke shfrytëzuar momentet sikur këto bashkimi rreth qëllimeve fisnike të bëhet më i lehtë dhe më i fortë. Kështu mund të marshojmë bashkë drejtë qëllimeve tona shoqërore e shtetërore”, tha Tërnava.

Sot besimtarë myslimanë kremtojnë Fitër Bajramin. Siç edhe është traditë, pas faljes së namazit besimtarët mylsimanë vazhdojnë festimet në shtëpitë e tyre, duke shkëmbyer vizita mes të afërmeve, etj. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne