Shqiperia

Mziu në botën e çudirave, FSHF-ja dhe Prokuroria bëjnë sehir

Deklaratat e Kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, për ndeshjen ndërmjet Vllaznisë dhe Laçit kanë bërë xhiron e rrjetit. I pari i Kamzës deklaroi se skuadra shkodrane do të fitonte me rezultatin 1-0, ndërsa diçka të tillë e shprehu me bindje, madje shkoi dhe më tej. “Kam informacione se Vllaznia do të fitojë me Laçin me rezultatin 1-0, madje premioja e premtuar ndaj kuqebluve do t’i jepet skuadrës së Laçit. I ftoj të gjithë bastexhinjtë që ta luajnë në këtë mënyrë”, – u shpreh Mziu. Në fakt, kjo nuk është deklarata e tij e parë në lidhje me trukimin e ndeshjeve, pasi diçka të tillë e tha dhe në lidhje me ndeshjen Teuta-Laçi.

“I ftoj të gjithë dashamirësit e basteve të hedhin lekë për Teutën. Skuadra durrsake do të fitojë ndaj Laçit. Këtu do të jemi më besoni mua”, – shprehej Mziu, pa iu dridhur qerpiku, në emisionin “Fair Play”, në “News 24”. Në fakt, të dy ndeshjet i gjeti, pasi Teuta fitoi me Laçin me rezultatin 1-0, por a nuk përbën aspak problem ky fakt? Një Kryetar Bashkie që merr guximin të parashikojë ndeshje, madje të akuzojë dhe për baste, vështirë të gjendet kund.

Mziu, me guximin më të madh dhe bravo i qoftë, flet hapur dhe thotë se do të ketë ndeshje të tjera që do të parashikojë sërish rezultatin. “Do të ketë dhe ndeshje të tjera që do të parashikoj rezultatin e saktë. Më besoni që do të ketë dhe do t’i them”, – u shpreh ai, pasi godit në shenjë për ndeshjen ndërmjet Vllaznia-Laçi.

Dakord, Mziu ka informacionet e tij sekrete dhe flet me bindje për ndeshje të lëna dhe rezultate të fiksuara, por FSHF-ja çfarë rolit ka në këtë mesele? Po Prokuroria e përgjithshme që pak kohë më parë mbylli dosjen për Skënderbeun, pse nuk e fton Mziun të dëshmojë?  Deklaratat e tij janë shumë të rënda dhe minimalisht duhet të përgjigjet para Prokurorisë për akuzat që hedh. Po FSHF-ja, pse nuk merr masa? Në një shtet normal minimalisht personi që flet duhet të merret në pyetje. /EDS

OPINIONE

INTERVISTA